Nga Wally Adeyemo dhe David Shimer | Foreign Affairs
Me ndihmën amerikane që po zbehet nën administratën Trump dhe me përshkallëzimin e ofensivës ruse në Ukrainë, dy zyrtarë të lartë të administratës Biden – Wally Adeyemo dhe David Shimer – i bëjnë thirrje Bashkimit Europian të sekuestronte asetet sovrane të ngrira të Rusisë dhe t’i përdorte ato për të mbështetur mbrojtjen dhe rindërtimin e Ukrainës.
Sipas autorëve, të cilët kanë shërbyer respektivisht si Zëvendëssekretar i Thesarit dhe si drejtor për çështjet e Ukrainës në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, ka ardhur momenti që Europa të marrë një hap historik: të mos lejojë që 300 miliardë dollarë të qëndrojnë të ngrira, por t’i përdorë si burim i qëndrueshëm për ndihmën ushtarake dhe ekonomike të Ukrainës.
Një pasuri e ngrirë që mund të ndryshojë fatin e luftës
Pas pushtimit të Ukrainës në shkurt 2022, SHBA dhe vendet e G7-ës ngrinë rreth 300 miliardë dollarë asete shtetërore ruse, shumica e të cilave ndodhen në banka dhe institucione financiare europiane. Gjatë administratës Biden, SHBA-të kërkuan që këto fonde të sekuestrroheshin, por kundërshtime ligjore dhe ekonomike nga Europa ndaluan çdo hap konkret.
Tani që ndihma nga Uashingtoni është pezulluar, ndërsa Rusia refuzon çdo kompromis dhe mbështetet hapur nga Kina, Irani dhe Koreja e Veriut, autorët theksojnë se sekuestrimi i aseteve është veprim i domosdoshëm dhe i ligjshëm.
“Putini beson se ndihma për Ukrainën do të shterojë. Europa mund t’i përmbysë këto llogari duke përdorur këto fonde për të mbajtur në këmbë rezistencën ukrainase”, shkruajnë Adeyemo dhe Shimer.
Argumentet ligjore dhe precedentët ndërkombëtarë
Kritikët europianë e shohin sekuestrimin si shkelje të imunitetit sovran, por autorët thonë se ekziston bazë e qartë ligjore për të ndërmarrë një veprim të tillë. Ata përmendin rezolutën e OKB-së që e dënon pushtimin rus si akt agresioni dhe vënë në dukje se precedentët historikë ekzistojnë – si transferimi i aseteve të ngrira të Irakut pas pushtimit të Kuvajtit në vitin 1990 për të financuar reparacionet.
Për më tepër, ata hedhin poshtë frikën se sekuestrimi do të trembë investitorët ndërkombëtarë: “Kapitali nuk u largua kur asetet u ngrinë në 2022, dhe nuk ka prova se do të largohet tani. Në fakt, mosveprimi është rreziku i vërtetë për ekonominë europiane, nëse Ukraina bie dhe konflikti përhapet drejt kufijve të NATO-s.”
Një kartë strategjike në duart e Europës
Nëse fondet sekvestrohen, ato mund të përdoren menjëherë për blerjen e armëve për Ukrainën, për financimin e industrisë së saj të mbrojtjes dhe për stabilitetin ekonomik të vendit. Adeyemo dhe Shimer sugjerojnë që Europa të blejë armatime amerikane për Ukrainën me këto fonde, duke rritur koordinimin transatlantik edhe në mungesë të mbështetjes së drejtpërdrejtë nga Shtëpia e Bardhë.
Pasi të arrihet një armëpushim, fondet do të jenë thelbësore për rindërtimin e Ukrainës, i cili pritet të kushtojë qindra miliarda dollarë. Rusia, sipas tyre, nuk do të pranojë kurrë vullnetarisht të paguajë dëmet që ka shkaktuar – ndaj këto asete janë forma më reale e reparacioneve.
Çfarë duhet të ndodhë tani?
Autorët sugjerojnë që Bashkimi Europian të miratojë një version të vetin të Aktit REPO – ligjit amerikan që autorizon sekuestrimin e aseteve ruse. Nëse kjo nuk arrihet në nivel të përbashkët, shtetet individuale që mbajnë asetet duhet të veprojnë përmes legjislacioneve kombëtare.
“Lufta është në një pikë kthese. Trump thotë se Ukraina nuk ka më karta për të negociuar. Por me 300 miliardë dollarë në dorë, Europa mban një kartë të fuqishme. Tani është koha për ta luajtur atë”, përfundojnë Adeyemo dhe Shimer.