FLASH :

Trump përplas Ramaphosën me akuza për “gjenocid të bardhë” në Afrikën e Jugut, faktet e rrëzojnë pretendimin

Presidenti amerikan Donald Trump ka ndezur një përplasje diplomatike me presidentin e Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa, gjatë një takimi të tensionuar në Zyrën Ovale, ku Trump përsëriti pretendime të rreme për një gjenocid sistematik ndaj fermerëve të bardhë në Afrikën e Jugut. I mbështetur në artikuj mediatikë, video online dhe imazhe të diskutueshme, Trump e akuzoi qeverinë e Ramaphosës për “lehtësimin e vrasjeve dhe konfiskimeve të tokës”.

Duke shfaqur një tufë artikujsh para kamerave dhe duke përsëritur me ngulm fjalët “vdekje, vdekje, vdekje e tmerrshme”, Trump pretendoi se fermerët e bardhë janë në shënjestër dhe se autorët e krimeve nuk ndëshkohen. Por verifikimi i fakteve dhe të dhënat zyrtare e hedhin poshtë këtë narrativë – një pretendim i mbështetur prej kohësh nga qarqe të ekstremit të djathtë dhe grupe lobuese si AfriForum.

Çfarë thonë të dhënat?

Sipas të dhënave zyrtare të qeverisë së Afrikës së Jugut, nga 19,696 vrasje të regjistruara në periudhën prill–dhjetor 2024, vetëm 36 lidhen me fermat, dhe vetëm 7 viktima ishin fermerë. Shumica e të vrarëve në fermat janë punëtorë të zinj. Edhe statistikat e vetë AfriForum, që mbron të drejtat e afrikanerëve, e konfirmojnë këtë: në vitin 2023, kishte 49 vrasje në fermat e vendit.

Për më tepër, nga të dhënat e Unionit Bujqësor Transvaal, prej 2,229 vrasjesh në fermat e Afrikës së Jugut që nga 1990, 1,363 ishin fermerë të bardhë. Kjo përbën mesatarisht 56 viktima në vit, një shifër që pasqyron problemin më të gjerë të kriminalitetit në vend, jo një kampanjë të qëllimshme genocidale.

Çfarë ndodhi me “varrezat” që tregoi Trump?

Trump gjithashtu shfaqi një video që, sipas tij, tregonte “varreza masive të fermerëve të bardhë”. Në fakt, videoja i përkiste një proteste të vitit 2020, ku u vendosën kryqe të bardhë në një fushë në shenjë simbolike për vrasjen e një çifti fermerësh. Nuk ishin varre, por një akt simbolik që u keqinterpretuar më herët edhe nga Elon Musk.

Përplasja për ligjin e tokës dhe këngën “Kill the Boer”

Një tjetër pikë përplasjeje ishte ligji i shpronësimit të tokës, të cilin Trump e quajti “persekutim”. Por ligji i lejon vetëm shtetit – jo individëve – të sekuestrojë tokën për interes publik, dhe parashikon kompensim të drejtë, edhe pse në raste të veçanta mund të realizohet edhe pa pagesë. Trump gjithashtu kritikoi përdorimin e këngës “Kill the Boer” nga Julius Malema, lideri i opozitës së majtë, e cila ka ngritur polemika të mëdha brenda vetë shoqërisë afrikanojugore.

Ramaphosa sqaroi se këto shprehje nuk përfaqësojnë qëndrimin e qeverisë dhe janë deklarata të izoluara politike. Gjykatat e vendit i kanë cilësuar këngët si shprehje simbolike të rezistencës historike, jo thirrje për dhunë.

Në vend të analizës: një propagandë politike?

Ekspertët thonë se pretendimi për “gjenocid të bardhë” nuk qëndron në asnjë bazë faktike. “Këto janë krime të rënda, por pasqyrojnë nivelin e përgjithshëm të dhunës dhe mungesën e sigurisë në zonat rurale, jo një politikë të shtetit për të zhdukur një grup racor,” u shpreh Anthony Kaziboni, studiues në Universitetin e Johannesburgut.

Analistët e shohin këtë manovër të Trump si një përpjekje për të mobilizuar bazën e tij politike të djathtë në SHBA, duke nxitur ndjenja identitare dhe frikë nga rreziku i emigrimit të të bardhëve. Ndërkohë, marrëdhëniet SHBA–Afrika e Jugut janë në pikën më të ulët, pas ndërprerjes së ndihmës amerikane dhe tërheqjes së ambasadorit amerikan nga Pretoria muajin e kaluar.