FLASH :

Vuçiç i jep trajnerit urdhrin politik: “Shko në Tiranë dhe fito!” – Serbia synon fitoren ndaj Shqipërisë si çështje kombëtare

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka kthyer përballjen e ardhshme futbollistike mes Shqipërisë dhe Serbisë në një kauzë politike. Vetëm një ditë pasi mori pjesë në Samitin e Komunitetit Politik Evropian në Tiranë, Vuçiç i është drejtuar me një “urdhër” të veçantë trajnerit të kombëtares së Serbisë, Dragan Stojkoviç.

Në një tubim të partisë së tij në Nish, presidenti serb tha publikisht:
“Në qershor ose korrik, ai luan atje kundër Shqipërisë, për t’i mposhtur ata.”

Ai i kërkoi trajnerit legjendar që të “shkojnë në Tiranë dhe të fitojnë”, duke e kthyer ndeshjen në një simbol të krenarisë kombëtare.
“E pashë pak më parë dhe tani shoh se është përsëri këtu. Ju lutem, duartrokisni fort trajnerin serb, Dragan Stojkoviç. Legjendën e Nishit, i cili nuk është fshehur si shumë të tjerë dhe erdhi të jetë me ne sonte,” u shpreh Vuçiç, sipas mediave serbe.

Ndeshja Shqipëri–Serbi do të zhvillohet më 7 qershor në orën 20:45 në “Arenën Kombëtare” në Tiranë, dhe pritet të ketë jo vetëm ngarkesë sportive, por edhe tension të shtuar për shkak të historikut dhe deklaratave politike që e paraprijnë.