Përparësia ushtarake mund të ketë kaluar në dëm të Putinit
Presidenti rus Vladimir Putin është mjeshtër në shmangien e pamjes së humbjes. Ai erdhi në pushtet në vitin 2000 duke projektuar autoritet mbi luftën e vazhdueshme të Rusisë kundër rajonit separatist të Çeçenisë, një konflikt ku Rusia në fund ia doli. Ai u paraqit si udhëheqës vendimtar në Gjeorgji (përmes luftës ruso-gjeorgjiane në 2008), në Ukrainë (me aneksimin e Krimesë në 2014 dhe pushtimin e plotë në 2022) dhe në Siri (përmes ndërhyrjes ushtarake ruse në 2015). Në asnjë nga këto fronte, Putin nuk ka arritur një sukses të qëndrueshëm. Gjeorgjia mbetet në një situatë të pasigurt, ndërsa prania ruse në Siri po zbehet. Por Putin nuk pranon kurrë përgjegjësi për dështimet në arenën ndërkombëtare – ai gjithmonë sillet si fitimtar.
Në rastin e Ukrainës, Putin mund të inskenojë skena suksesi. Ai e bëri këtë më 9 maj – Dita e Fitores në Rusi, që përkujton dorëzimin e nazistëve në 1945 – duke u paraqitur përkrah presidentit kinez Xi Jinping. Ata panë trupat ruse duke parakaluar krenarisht në Sheshin e Kuq, duke përcjellë mesazhin se Rusia nuk është e izoluar; nuk është e mposhtur. Sipas mediave shtetërore ruse, është Ukraina ajo që do të dështojë. Është Europa ajo që nuk arrin të kapërcejë apatinë e saj post-nacionale. Është SHBA ajo që i është dorëzuar Rusisë, duke pranuar se zgjerimi i NATO-s shkaktoi luftën, se qëndrueshmëria e Ukrainës e zgjati atë, dhe se në vitin 2022, kur nisi lufta, presidenti Joe Biden ishte një plak që çoi botën në prag të Luftës së Tretë Botërore.
Por për Rusinë, Ukraina nuk është as Siri dhe as Gjeorgji. Siria ishte një aventurë e largët ku tërheqja e Rusisë mund të fshihet nën qilim. Gjeorgjia është e ngrirë mes Lindjes dhe Perëndimit – një situatë e pranueshme për Moskën. Por Ukraina është një katastrofë për Moskën. Ushtria ruse është në ngërç, ndërsa humbjet dhe viktimat rriten. Putin nuk ka rrugëdalje tjetër përveçse të pranojë një version të humbjes. Kremlini mund të përpiqet të fshehë vuajtjet e luftës nga populli, por vetëm deri në pikën që kontrollon narrativën. Ai nuk mund ta fshehë aq lehtë një ekonomi që po dobësohet, e as nuk mund t’u premtojë rusëve një të ardhme politike përtej “putinizmit të përhershëm”. Ngadalë, por sigurt, Rusia ka nisur të humbasë luftën.
Lufta e gjatë po e rëndon Rusinë në çdo front
Luftërat e gjata kërkojnë përpjekje të ndërthurura. Qëllimet ushtarake mbështeten te diplomacia dhe fuqia ekonomike, që nga ana e tyre varen nga vullneti politik. Rusia po dështon në të gjitha këto fusha. Sfida ushtarake dhe diplomatike po e ndërlikojnë njëra-tjetrën, ashtu si krizat ekonomike dhe politike. Nëse lufta do të shkonte mirë, ose do të perceptohej si mbrojtëse, atëherë vështirësitë ekonomike do të toleroheshin dhe pakënaqësia politike do të shtyhej. Kështu ndodhi me Bashkimin Sovjetik gjatë Luftës së Dytë Botërore. Por në Ukrainë, Putini është në pozitën e kundërt. Ai nuk mund të shtyjë pafundësisht një llogaridhënie strategjike.
Rusia po përballet me dy dilema të mëdha ushtarake. E para është paaftësia për të avancuar. Teknikisht, Rusia ka marrë disa territore në Ukrainë, por nuk po arrin asnjë përparim domethënës. Prej muajsh, ka tentuar pa sukses të marrë qytetin ukrainas Pokrovsk, duke pësuar humbje të mëdha: rreth 790 mijë ushtarë të vrarë ose plagosur që nga fillimi i luftës (plus 48 mijë të zhdukur), përfshirë mbi 100 mijë vetëm këtë vit. Nëse kjo prirje vazhdon, deri në fund të 2025-ës, Rusia do të ketë mbi 1 milion viktima, pa përmirësuar aspak pozitën strategjike. Territoret që kontrollon janë të rrënuara dhe pa ndonjë vlerë reale ekonomike.
Dilema tjetër është vetë Ukraina. Pasi Rusia nuk arriti ta ndajë vendin më dysh në 2022, Putini zgjodhi një luftë të përqendruar te civilët – për të mos u dukur i tërhequr dhe për të thyer rezistencën. Por kjo strategji dështoi. Dhuna dhe mizoritë ndaj civilëve bindën ukrainasit se duhet të luftojnë. Edhe pse më e vogël dhe më e varfër, Ukraina ka treguar moral të lartë dhe një aftësi mbresëlënëse inovative, sidomos në luftën me dronë.
Shpresat e vetme të Rusisë: largimi i SHBA dhe përçarja e Europës
Rusia ka ende mënyra për të përfituar nga një luftë e gjatë. Një tërheqje e SHBA-së do të ishte goditje për moralin ukrainas, do të dobësonte kapacitetet e përditshme të ushtrisë dhe do të dërgonte një mesazh negativ global për mbështetjen ndaj Ukrainës. Në këtë rast, Rusia do të përpiqej të joshte shtete të veçanta europiane drejt neutralitetit ose mbështetjes së saj. Një ndarje SHBA-Europë do të ishte fitore strategjike për Moskën.
Por Rusia ka dështuar me diplomacinë. Ajo humbi rastin për të përfituar nga një administratë amerikane pro-ruse në muajt e parë të vitit, duke bombarduar dhe shkelur marrëveshje armëpushimi. Kjo i largoi edhe më shumë mbështetësit e mëparshëm, përfshirë ish-presidentin Trump. Gjermania, nën drejtimin e kancelarit të ri Friedrich Merz – një mbështetës i fortë i Ukrainës – është zotuar për gjysmë trilioni dollarë në shpenzime mbrojtjeje. Diplomacia ruse nuk mund ta krijojë më një Perëndim miqësor apo neutral, për shkak të mënyrës se si lufton në Ukrainë dhe sepse Putini nuk lejon zyrtarët të negociojnë kompromiset që mund ta shpëtonin nga ky makth.
Ekonomia ruse në rënie, besimi te Putini lëkundet
Obsesioni i Putinit për të mos humbur në Ukrainë ka dëmtuar ekonominë. Rritja ekonomike nga shpenzimet ushtarake ka përfunduar – nga 5% ka rënë në zero. Tregu i mbinxehur i punës ka çuar inflacionin në rreth 10%. Çmimet në rënie të energjisë, për shkak të luftërave tregtare të Trump-it dhe ngadalësimit të ekonomisë kineze, rrezikojnë të shkatërrojnë buxhetin rus, që varet kryesisht nga shitja e gazit dhe naftës. Edhe pse rusët nuk po vuajnë për bukën e gojës, shumë prej tyre po pyesin për mençurinë e luftës – për çmimet e larta dhe një horizont ekonomik të zymtë, për hir të një lufte të padobishme dhe të pafitueshme. E vetmja gjë më e rrezikshme për një udhëheqës politik se një luftë e zgjedhur, është një luftë e zgjedhur që po shkon keq.
Putini u ka kërkuar rusëve t’i besojnë për luftën në Ukrainë. Shumë ia kanë dhënë këtë besim, disa përmes bindjes, të tjerë nga frika e represionit shtetëror – edhe pse Rusia nuk është një shtet totalitar. Shoqëria është në një kontratë të çuditshme: pjesërisht e mobilizuar për luftë, pjesërisht e tërhequr nga politika – një vend apolitik që pretendon të luftojë një luftë të shenjtë.
Fuqia reale politike është përqendruar në duart e Putinit. Por kjo e bën atë njëkohësisht të fortë dhe të pambrojtur – i fortë nëse fiton, i pambrojtur nëse humbet. Ndoshta për këtë arsye, pas vitesh heshtjeje, ai ka filluar të flasë për një pasardhës. Ai e di se ka vënë në lojë gjithçka në një luftë të marrë – dhe nuk po fiton.