FLASH :

Rezistenca ndaj insulinës – rreziku i fshehur që çon në sëmundje të rënda

Një nga kërcënimet më të mëdha për shëndetin global në shekullin XXI është rezistenca ndaj insulinës (RI) – një çrregullim metabolik që qëndron në themel të shumë sëmundjeve serioze si diabeti i tipit 2, sëmundjet kardiovaskulare, sëmundjet e mëlçisë yndyrore dhe ato neurodegjenerative.

Çfarë është RI dhe çfarë rreziku paraqet?
Rezistenca ndaj insulinës ndodh kur qelizat e trupit nuk i përgjigjen më siç duhet insulinës, hormonit që rregullon nivelin e sheqerit në gjak. Edhe pse jo çdo person me RI zhvillon diabet, mungesa e ndërhyrjes e shton ndjeshëm këtë rrezik.

Simptomat që shpesh injorohen:
Në fazat e para, RI është asimptomatike, por me kalimin e kohës shfaqen shenja si:
– shtim në peshë dhe vështirësi në humbje
– uri e shpeshtë, sidomos për ëmbëlsira
– lodhje, përgjumje, plogështi
– humor i keq, vështirësi në përqendrim, harresë

Kur glukoza paralajmëron për rrezik?
– Normale: deri në 6 mmol/L
– Kufitare: 6–6.9 mmol/L
– Diabet i tipit 2: mbi 7 mmol/L
Të gjithë pacientët me diabet të tipit 2 kanë prapavijë me RI.

Çfarë ndikon në zhvillimin e RI?
Një dietë e varfër me shumë sheqer, lëngje industriale, konsum i shpeshtë në furra/pastiçeri, mungesa e aktivitetit fizik dhe stresi janë faktorë kryesorë.

Si parandalohet apo përmirësohet?
Stili i shëndetshëm i jetesës: Ushqyerje e ekuilibruar dhe aktivitet fizik i rregullt.
Terapia me ilaçe: Kur masat natyrore nuk mjaftojnë, përdoret metformina, që ul prodhimin e glukozës nga mëlçia dhe rrit ndjeshmërinë e qelizave ndaj insulinës, duke reduktuar rrezikun për zhvillimin e diabetit deri në 30%.

Kur duhet të shqetësohemi për diabetin?
Simptomat shfaqen vonë dhe përfshijnë: etje të shtuar, urinim të shpeshtë, lodhje, shikim të turbullt, humbje në peshë. Për këtë arsye, kontrollet e rregullta janë thelbësore.

Parandalimi është më i lehtë se trajtimi
Adoptimi i një stili jetese të shëndetshëm është çelësi për të parandaluar si RI-në, ashtu edhe diabetin. Aktiviteti fizik dhe një dietë e pasur me fibra, fruta, perime dhe e ulët në sheqerna të përpunuara janë masat më efektive.

Kontrollohuni rregullisht dhe veproni herët. Shëndeti juaj është në duart tuaja.