Një ish-punonjëse burgu në Angli është dënuar me 10 muaj burg, pasi u kap në një lidhje të ndaluar dashurie me një të burgosur në institucionin ku punonte.
Morgan Farr Varney, 24 vjeçe, punonte në burgun Lindholme pranë Doncaster, kur u filmua nga kamerat e sigurisë duke hyrë në një dollap bashkë me të burgosurin. Dyshimet nisën kur ajo u pa shpesh duke “qëndruar pa arsye” pranë të dënuarit në një nga krahët e burgut. Hetimi zbuloi letra dashurie të shkëmbyera mes tyre, foto intime në qelinë e tij dhe në dhomën e saj të gjumit, si dhe pamje ku çifti hynin së bashku në një hapësirë të mbyllur.
Pasi u arrestua për keqpërdorim të detyrës publike, Farr Varney pranoi në polici se ishte “rënë vërtet në dashuri” me të burgosurin dhe e kishte “shkatërruar jetën e saj”. Edhe pas dorëheqjes dhe transferimit të të dënuarit në një burg tjetër në Wealstun, marrëdhënia e tyre vazhdoi në mënyrë të paligjshme.
Rasti i saj vjen në një kohë kur është regjistruar një numër rekord i grave të shkarkuara nga puna në burgje për lidhje intime me të burgosur – 29 vetëm në tre vitet e fundit, krahasuar me 9 raste në periudhën 2017-2019.
Pas dënimit nga Gjykata e Lartë në Sheffield, Policia e Yorkshire Jugore deklaroi se ky rast duhet të shërbejë si paralajmërim për çdo punonjës tjetër që mund të mendojë të shkelë rregullat: “Këto raste minojnë reputacionin e shërbimit të burgjeve dhe punën e ndershme të qindra zyrtarëve që respektojnë ligjin,” tha hetuesi Scott Jarvis.
Ironikisht, Farr Varney ishte shfaqur në programin “This Morning” në ITV vitin e kaluar për të folur mbi një problem me firmat online të ortodonçisë, ku ajo kishte humbur para dhe mbetur me trajtime të papërfunduara.

