Nga Marc Lynch – Foreign Affairs
Aleatët arabë të Amerikës do të donin ta dinin
Këtë javë, Presidenti amerikan Donald Trump do të vizitojë tre aleatë kyç të SHBA-së në Lindjen e Mesme: Katarin, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA). Por qëllimi i kësaj vizite mbetet ende i paqartë. Disa mendojnë se ai kërkon marrëveshje armësh dhe investime në SHBA. Të tjerë dyshojnë se po përpiqet të pasurohet personalisht përmes fondeve të Gjirit në prona dhe monedha digjitale që lidhen me bizneset e tij. Por ka dhe nga ata që mendojnë apo frikësohen se ai synon diçka më të madhe: Iranin. Administrata e tij është përfshirë në bisedime për programin bërthamor iranian, por për shkak të kaosit të brendshëm dhe grindjeve mes këshilltarëve të tij, kjo vizitë mund të sjellë po aq lehtësisht një marrëveshje sa edhe një konflikt të ri në rajon.
Udhëheqësit e Gjirit kishin shpresuar për rizgjedhjen e Trump. Ata përfituan gjatë mandatit të tij të parë dhe e përçmonin Joe Biden. Princi saudit Mohammed bin Salman (MBS) nuk ia fal dot Biden-it ta ketë quajtur Arabinë Saudite një “shtet të përçmuar” për shkak të vrasjes së gazetarit Jamal Khashoggi. MBS ruajti marrëdhënie të ngushta me rrethin e Trump gjatë viteve të Biden dhe e përdori premtimin për normalizim me Izraelin si karrem diplomatik. Por tani, 100 ditë pas nisjes së mandatit të dytë të Trump, ata janë të hutuar. Politikat e tij për Gazën dhe Jemenin janë, në thelb, versione më të ashpra të qasjes së Biden. Në fakt, Biden vetë vazhdoi shumicën e politikave të Trump në Lindjen e Mesme, përfshirë moskthimin në marrëveshjen bërthamore me Iranin.
Stil i paparashikueshëm, pasoja të mëdha
Ndryshimi i madh mes dy presidentëve është stili. Biden ishte i parashikueshëm. Trump jo. Udhëheqësit e rajonit kanë frikë se tarifat e tij mund të shkaktojnë një recesion global që do dëmtonte eksportet e naftës. Ata janë të shqetësuar për ndërprerjen e ndihmës së jashtme për vende si Jordania. Dhe më shumë se gjithçka, nuk dinë nëse Trump po përgatitet për një marrëveshje me Iranin apo për një luftë të re.
Vizita në Katar, Arabinë Saudite dhe EBA duket si një përpjekje për të shmangur ndasitë. Në vitin 2017, Trump vizitoi vetëm Riadin dhe menjëherë pas kthimit, publikoi në Twitter mbështetjen për izolimin e Katarit, duke shkaktuar një krizë të thellë mes vendeve të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit. Kjo lëvizje dëmtoi edhe përpjekjet amerikane për presion ndaj Iranit, pasi Katari u detyrua të mbështetet më shumë te Teherani. Bllokada përfundoi menjëherë pasi Biden mori detyrën.
Ekonomi dhe tensione ushtarake
Në sfond të vizitës është një marrëveshje armësh prej 100 miliardë dollarësh me Arabinë Saudite dhe nxitja e investimeve në SHBA. MBS ka hedhur idenë për një investim saudit prej 600 miliardë dollarësh në SHBA, por kjo është më shumë propagandë sesa realitet, duke pasur parasysh problemet ekonomike që ka mbretëria. Trump ka edhe interesa personale: sipas New York Times, bizneset e familjes së tij kanë përfituar miliona nga marrëveshje me kompani të lidhura me qeveritë e Gjirit.
Një tjetër synim mund të jetë bindja e vendeve të Gjirit që të mbajnë çmimet e naftës të ulëta. Gjatë administratës së Biden, Arabia Saudite nuk pati interes të ndihmojë SHBA-në përmes politikave të naftës madje i kundërvihet hapur, duke ulur prodhimin dhe duke ndihmuar Rusinë të përfitojë më shumë nga eksportet e saj. Megjithatë, çmimet e ulëta janë problematike edhe për vetë Arabinë Saudite, që ka nevojë për të ardhura të qëndrueshme për të financuar planet e saj zhvillimore.
Luftë apo paqe me Iranin?
Çështja më kritike mbetet Irani. Në të kaluarën, Trump dhe aleatët e tij në Gjirin Persik zgjodhën konfrontimin me Iranin, por sulmet e milicive të lidhura me Teheranin ndaj infrastrukturës saudite i detyruan të rishqyrtojnë strategjinë. Tani, vendet e Gjirit po sillen më me kujdes, duke negociuar në heshtje me Iranin përmes ndërmjetësimit kinez. Ata janë të kënaqur me humbjet që ka pësuar Irani në rajon, si shkatërrimi i Hezbollahut në Liban, por nuk janë të prirur të përfshihen në një luftë direkte. Nëse Trump vendos të shkojë drejt konfliktit, ato do të kërkojnë garanci të forta sigurie dhe përfitime të tjera në këmbim të mbështetjes publike.
Gaza, Izraeli dhe normalizimi që s’mund të ndodhë
Trump e konsideron marrëveshjet Abraham si suksesin më të madh diplomatik të tij dhe do të donte shumë ta shpallte Arabinë Saudite pjesë të kësaj nisme. Por lufta në Gaza e bën të pamundur një normalizim me Izraelin. Udhëheqësit arabë mund të mos kenë interes për palestinezët, por popujt e tyre po dhe ata ndjekin opinionin publik me kujdes, nga frika e revoltat të reja. Masakra në Gaza ka rritur çmimin politik që MBS do të kërkonte për një marrëveshje me Izraelin, përfshirë një traktat mbrojtjeje me SHBA-në dhe hapa konkretë drejt shtetësisë palestineze.
Arabët janë të tmerruar nga planet e Trump për të zhvendosur mbi 2 milionë palestinezë nga Gaza në Egjipt ose Jordani për ta kthyer rajonin në një “Riviera të Lindjes së Mesme”. Kjo do destabilizonte të gjitha vendet pritëse dhe do rrënonte legjitimitetin e qeverive arabe që do e mbështesnin.
Siria, destabilizimi dhe mungesa e strategjisë
Ndërkohë, Izraeli ka ndërhyrë gjithnjë e më thellë në Siri, duke zaptuar territore dhe bombarduar objektiva që nga rënia e Assad-it. Shumica e shteteve arabe e mbështesin regjimin e ri, të dalë nga rebelët islamikë, sepse shpresojnë në një stabilitet të ri. Por nuk është e qartë se çfarë preferon SHBA stabilitetin apo kaosin e mëtejshëm në Siri?
Mundësi për një marrëveshje të madhe me Iranin
Ka pak gjasa që Trump të arrijë ndonjë sukses madhor në këtë vizitë, përveçse të nënshkruajë ndonjë kontratë armësh. Por ai ka mundësinë të tregojë qartë se synon një marrëveshje të re bërthamore dhe politike me Iranin një pakt që jo vetëm do zvogëlonte rrezikun e luftës me Izraelin, por do integronte Iranin në një rend rajonal të ri. Një marrëveshje më gjithëpërfshirëse se ajo e Obamës do i jepte Trumpit një fitore të madhe diplomatike.
Por kjo kërkon një rend të ri të bazuar jo në forcë e marrëveshje të përkohshme, por në legjitimitet, armëpushim në Gaza, ndihmë humanitare dhe një perspektivë reale për shtetësinë palestineze. Deri tani, kjo duket e paarritshme për një administratë që i ka prerë rrënjët fuqisë së butë amerikane, ka mbyllur kufijtë dhe ka përqafuar një diplomaci të dhunshme. Nëse Trump dëshiron vërtet të thyejë ciklin e dështimeve amerikane në Lindjen e Mesme, atëherë kjo vizitë në Gjirin Persik është momenti i duhur për të nisur.