Disa media pro-qeveritare, kishin publikuar sot me shumë zell raportimin për lirinë e medias nga Reporters Without Borders, ku në renditje ndodhen 180 shtete. Shqipëria kishte mbi vete 100 shtete, e megjithatë, mediat pro qeveritare gëzonin për përmirësimin e indeksit me 19 vende për 2025.
Gjithashtu, këto media kishin theksuar me të fortë faktin që në raport evidentohet që në Shqipëri gjatë vitit të fundit nuk ka patur asnjë gazetar të dënuar dhe asnjë gazetar të vrarë.
Sigurisht, kjo i shërben qeverisë për të dëshmuar se ajo është e butë me fjalën e lirë dhe nuk e cënon atë.
Por a duhet të gëzohemi që nuk ka patur asnjë gazetar të dënuar për shpifje gjatë vitit të fundit, kur Shqipëria është një vend i mbushur me “fake news”?
Dhe a është tregues i lirisë së fjalës, fakti që në Shqipëri asnjë gazetar nuk është vrarë?
Më shumë se tregues lirie, fakti që asnjë gazetar në Shqipëri nuk është vrarë prej shumë vitesh, në fakt flet për një faktor tjetër, atë të bërjes së gazetarisë palë me politikën dhe krimin.
Në rrethet dhe korridoret gazetareske, flitet hapur për të qenin në borderonë e x apo y politikani, apo x apo y krimnineli nga ana e gazetarëve të caktuar, që më pas pushtojnë studiot televizive me petkun e rremë të gazetarëve të pavarur autoritarë dhe investigativë.
Kështu që dy treguesit e mësipërm, më tepër se sa për lirinë e medias në Shqipëri, duhet të na bëjnë të reflektojmë mbi faktin, që një gazetari që i shërben politikës dhe krimit, duke bërë që mos t’i hyjë gjemb në këmbë askujt prej këtyre dy strukturave, normal që nuk do të ketë heronj të martirizuar sikurse ka ndodhur për shembull, në Kroaci apo Bullgari, ku gazetarët e kanë më seriozisht punën e të investiguarit dhe të të bërit gazetari.