Kyoto, Japoni – Në një cep të qetë të lagjes Ukyo, larg zhurmës së turistëve që vërshojnë drejt tempujve Ninna-ji dhe Daikaku-ji për të fotografuar qershitë në lulëzim, fshihet një nga thesaret më të çmuara të Japonisë: kopshti 1.5 hektarësh i familjes Sano, mbretëria e fundit të një dinastie që prej 16 brezash ruan dhe kultivon me devotshmëri pemët sakura.

Në krye të kësaj trashëgimie është 97-vjeçari Tōemon Sano, i njohur si “sakuramori” – mbrojtësi i qershive të lulëzuara. Një titull që në Japoni nuk jepet lehtë, por që Sano e ka fituar me dekada të tëra pune, kërkimesh dhe përkushtimi. Familja e tij ka filluar të kultivojë varietete të veçanta të sakurave që në shekullin XVII, dhe firma e tyre Uetō Zōen, e themeluar në vitin 1832, është ende aktive.
Kopshti Sano nuk është thjesht një oaz lulesh, por një qendër kërkimi dhe përhapjeje të varieteteve të rralla të qershive. Një nga pemët më të famshme të Kyoto-s – qershia e madhe me degë të varura në Parkun Maruyama – është rritur pikërisht në këtë kopsht.
Por ky pasuri kombëtare është në rrezik. Klima e ngrohtë po i detyron pemët të lulëzojnë më herët çdo vit. Sipas të dhënave, lulëzimi në Kyoto gjatë viteve të fundit ka ndodhur më herët se në çdo kohë tjetër në 1,200 vjet. Nëse ngrohja globale vazhdon, disa rajone mund të humbasin fare lulëzimin e sakurave.
“Kjo do të ishte një humbje jo vetëm për turizmin, por për vetë identitetin kulturor të Japonisë,” paralajmëron Shinichi Sano, biri i Tōemon dhe trashëgimtari i ardhshëm i titullit sakuramori.
Sakura është më shumë se një pemë. Është simbol i shpirtit japonez, i durimit, i bukurisë së përkohshme dhe i rilindjes. Në të kaluarën, perandorët, samurajët e madje edhe pilotët kamikazë kanë gjetur kuptim dhe frymëzim tek ajo.

Dhe në këtë mision për ta ruajtur, familja Sano mbetet një fanar shprese. “Nga 365 ditë të vitit, sakura qëndron e heshtur për 360 prej tyre, për të shpërthyer në lulëzim vetëm për pesë ditë – por çfarë lulëzimi është ai,” shkruan Tōemon në një mesazh të ndjerë pas daljes nga spitali. “Është një mësim jete: me durim dhe përkushtim, njeriu mund të lulëzojë sërish.”