Për herë të parë, Shqipëria fiton “Nobelin e Mjedisit”: Çmimi Goldman për mbrojtjen e Vjosës

Për herë të parë në historinë 36-vjeçare të tij, çmimi ndërkombëtar “Goldman” — i njohur gjerësisht si “Nobeli i Mjedisit” — shkon edhe për Shqipërinë. Aktivistët Besjana Guri dhe Olsi Nika, drejtues të organizatës EcoAlbania, janë shpallur fitues për vitin 2025, për përpjekjet e tyre të palodhura për mbrojtjen e lumit Vjosa nga ndërtimi masiv i hidrocentraleve.

Lajmin e morën përmes një telefonate të papritur nga San Francisko, nga vetë Fondacioni Goldman. Një juri ndërkombëtare i përzgjodhi mes mijëra kandidaturash në mbarë botën, si shembull frymëzues i aktivizmit mjedisor dhe fitores përballë interesave të fuqishme.

Nga ëndrra në realitet: Vjosa shpallet Park Kombëtar

Falë punës së tyre këmbëngulëse, Vjosa dhe degët e saj morën më në fund statusin e Parkut Kombëtar – një precedent historik në Europë, pasi kjo është hera e parë që një lumë i tërë, pa ndërprerje nga diga apo ndërtime, shpallet park i mbrojtur në nivel kombëtar.

“11 vjet më parë ishim vetëm disa ëndërrimtarë me një vizion të qartë dhe të pakompromis: ta shihnim Vjosën Park Kombëtar,” thotë Olsi Nika për Deutsche Welle. Ai, biolog në profesion, ka koordinuar përpjekjet e komuniteteve, shkencëtarëve dhe OJF-ve, ndërsa Besjana, e diplomuar në shkencat sociale, ka sjellë zërin e tyre në media dhe publikun e gjerë.

“Kur nisëm, ishim vetëm tre vetë. Sot, Vjosa ka miliona miq në të gjithë botën,” shton Besjana Guri.

Një betejë për natyrën, një mesazh për botën

Në vitin 2014, ata themeluan organizatën EcoAlbania dhe iu bashkuan fushatës ndërkombëtare “Save the Blue Heart of Europe”, që synonte mbrojtjen e lumenjve të Ballkanit. Vjosa, një ndër lumenjtë e fundit të egër në Europë, rrezikohej nga 45 hidrocentrale të planifikuara — kërcënim që do të shkatërronte një biodiversitet unik me mbi 1,175 lloje florë dhe faunë.

Pikërisht sepse asnjë digë nuk kishte nisur të ndërtohej, ata e konsideruan të mundur që Vjosa të mbrohej tërësisht. Sot, falë kësaj fitoreje, Shqipëria jo vetëm që ruan një pasuri natyrore të pazëvendësueshme, por bëhet edhe model për mbrojtjen e mjedisit në arenën ndërkombëtare.

Kjo është një histori suksesi, por edhe një thirrje për të vepruar – në Shqipëri dhe kudo ku natyra rrezikohet në emër të zhvillimit të pamatur.