FLASH:

Një iPhone 2300 Euro: Si tarifat e Trump po rrisin çmimin e teknologjisë dhe rrezikojnë Apple

Epoka e artë mund të marrë fund për kompaninë më të madhe të teknologjisë në botë

Nga momenti kur Donald Trump shpalli rikthimin e politikave të tij tregtare agresive, përfshirë tarifat ndëshkuese ndaj importeve nga Azia, tregjet reaguan ashpër – dhe askush nuk u godit më shumë sesa Apple. Në vetëm pesë ditë, kompania e Cupertino humbi 18.9% të vlerës së saj në bursë, ekuivalent me 664 miliardë dollarë kapitalizim të zhdukur. Për krahasim, edhe gjigantët e tjerë të teknologjisë si Amazon, Meta, Microsoft, Tesla dhe Nvidia pësuan rënie, por asnjë me intensitetin e Apple.

Pse pikërisht Apple? Sepse është kompania që varet më shumë nga një zinxhir i gjatë dhe i ndërlikuar furnizimi, veçanërisht në Azinë Juglindore. Me 50% të të ardhurave që burojnë nga shitjet e iPhone, çdo goditje në kostot e prodhimit ka efekt të drejtëpërdrejtë në fitimet dhe çmimet finale. Tarifat e reja që Trump ka paralajmëruar përfshijnë një 46% mbi produktet nga Vietnami, 26% mbi ato nga India dhe deri në 34% nga Kina – vende ku Apple ndërton dhe paketojnë një pjesë të madhe të produkteve të saj. Për më tepër, Pekini ka kërcënuar me një kundërpërgjigje që do të përfshijë tarifa shtesë deri në 50%, duke rritur më tej tensionet tregtare.

Ekspertët paralajmërojnë se një efekt domino është i pashmangshëm në tregun e elektronikës, ku zinxhiri global i furnizimit është tepër i ndërlidhur. Nëse tarifat përkthehen në rritje kostosh, çmimet për konsumatorët do të rriten në mënyrë drastike. Sipas disa parashikimeve, një iPhone i gjeneratës së ardhshme mund të kushtojë deri në 2300 euro – një skenar që do të përmbysë modelin aktual të konsumit dhe mund të dëmtojë besnikërinë ndaj markës.

Megjithëse Apple mbetet marka më e fuqishme në teknologji, me një bazë klientësh të përkushtuar dhe një reputacion të jashtëzakonshëm për cilësi dhe dizajn, ndikimi i tarifave është real dhe i menjëhershëm. Silicon Valley mund të jetë qendra e inovacionit, por pa fabrikat në Shenzhen, Hanoi apo Bangalore, produktet e saj nuk bëhen realitet. Dhe nëse këto fabrika bëhen shumë të shtrenjta për shkak të politikave proteksioniste, atëherë jo vetëm Apple, por gjithë sektori teknologjik amerikan do ta ndiejë fuqishëm çmimin e kësaj lufte tregtare të re.