Në një të kaluar jo shumë të largët, vetë Kryeministri Edi Rama kishte lënë të kuptohej se nuk do ta shohim “gjithë jetën” në politikë.
Madje, në një nga deklaratat e tij, përmendej edhe dalja në pension krah për krah me Koço Kokëdhimën nën rrapin në Vuno.
Por në një fjalim të mbajtur së fundmi lidhur me pagat e mësuesëve, Rama projektoi qartë dekadën e ardhshme, si kohë kur këto paga do të rriteshin ndjeshëm, dhe kjo e artikuluar jo vetëm si një dëshirë për të ardhmen, por si një plan i qartë për sundimin e tij edhe pas 10 vjetësh.
Ai flet për 10-vjeçarin që vjen, për projekte dhe ide të reja, si të ishte në fillimet e karrierës së tij politike.
Edi Rama, me sa duket, ka vendosur të sfidojë historinë politike dhe të thyej rekord. Nëse mbreti Zog planifikoi një mbretëri të gjatë, apo edhe Enver Hoxha mbajti pushtetin deri në vdekje, Rama është në udhë të mbarë për t’i sfiduar të dy.
Ahmet Zogu e ka udhëhequr Shqipërinë 17 vjet, pra në vitet 1922-1939.
Edi Rama ka 27 vjet që ka pushtet politik, që kur e nisi karrierën në vitin 1998 si ministër i kulturës, më pas në vitet 2000-2011 ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës, ndërsa që nga viti 2013 është kryeministër i vendit.
Ramës ia kalon vetëm diktatori Enver Hoxha, i cili e ka udhëhequr Shqipërinë që nga viti 1944 deri më 1985, kur edhe vdiq. Pra 41 vite në pushtet.
Nëse Rama i qëndron vizinit të tij për të qëndruar në politikë edhe dekadën e ardhshme, ai do të jetë një konkurrent direkt për t’ia kaluar edhe Hoxhës.