FLASH :

PD gjen fajtorin: Amerika e kuqe na la 12 vjet opozite! Po Trump i para 4 viteve?

Në një deklaratë që mund të futet lehtësisht në librat e historisë së humorit politik, anëtari i Kryesisë së PD-së, Enno Bozdo, ka zbuluar një komplot epik: Partia Demokratike, sipas tij, ka penguar Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të marrin pushtetin në Shqipëri! Po, e lexuat mirë. Kur mendonim se gjithçka lidhej me korrupsionin, skandalet dhe pazaret e brendshme, në fakt, problemi qenka një “segment i caktuar përtej oqeanit” që ka mbajtur opozitën larg pushtetit.

I ftuar në A2 CNN, Bozdo u ankua se pavarësisht gjithë përpjekjeve titanike të opozitës për të rrëzuar Edi Ramën, gjithçka ka qenë e kotë, sepse një mur i padukshëm—ndoshta i ndërtuar nga të huajt e liga—e ka bllokuar rrugën drejt fitores. Me një siguri për t’u admiruar, ai pretendon se “era ka nisur të fryjë në një drejtim tjetër” dhe se më në fund, Amerika është kthyer në vlerat e saj. Përkthimi? Tani që SHBA e ka kuptuar gabimin, ndoshta do t’ia japë PD-së fitoren me dekret.

Por, mos u shqetësoni! Zoti Bozdo ka një plan: pas 11 majit, PD do të krijojë një Shqipëri që askush nuk e ka parë ndonjëherë. Po, as shqiptarët vetë! Brenda 100 ditëve, vendi do të rilindë nga hiri i zhgënjimit, dhe Edi Rama do të mbetet thjesht një kujtim i keq. Nëse, sigurisht, PD nuk e “lë” Ramën të marrë mandatin e katërt, sepse mesa duket, zgjedhjet nuk fitohen, por thjesht vendoset kush “lejohet” të qeverisë.

Deri atëherë, shqiptarët duhet të mbajnë frymën dhe të presin mrekullinë. Sepse në këtë vend, gjithçka është e mundur—madje edhe që Amerika të ketë qenë problemi kryesor i opozitës për 10 vjet!