Edhe pse Tom Doshi është shpallur non-grata nga Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar, si dhe figuron në përgjimet apo e hetimet e disa prej grupeve kriminale më aktive në vend, ai ka vendosur t’i rikthehet fuqimisht politikës aktive, edhe pse disa vite më parë, u tërhoq me justifikimin për t’i lënë vendin të rinjve, kur nga të gjithë u kuptua, se ajo ishte një kërkese nga aleati i tij kryesor politik, Kryeministri Edi Rama, i cili për estetikë, nuk i duhej një non-grata aktiv në publik, teksa nuk i prishte asnjë punë që ai të vazhdonte aktivitetin e plotë nën rrogoz.
Në atë kohë, një shkrim i rrjetit investigativ OCCRP raportoi se Doshi konsiderohej si kreu i një grupi të madh të trafikut të kokainës në Australi.
Rikthimi i Doshit në skenën politike është një presion hapur që Rama po i bën drejtësisë së re dhe Shteteve të Bashkuara.
Në pritje për të kuptuar nëse nën erën Trump SHBA do ta lërë në fatin e vet drejtësinë e re shqiptare apo jo, Rama ka lëshuar Doshin si një pit-bull, për t’i treguar si drejtësisë, ashtu dhe SHBA-ve, që nëse na lini në mëshirën e fatit dhe nuk i dilni garant drejtësisë siç ishte deri nën administratën Biden, ne nuk do t’i përfillim më vendimet tuaja politike, sikurse janë shpalljet non-grata të Doshit, por edhe Berishës.
Në fakt, të dy non gratat janë tashmë aktivë në politikë, dhe i pari synon që të bëhet forcë e tretë parlamentare, duke zënë kështu hendekun e lënë nga ish-LSI e Ilir Metës.
Non-grata nuk e ka penguar Doshin që të lulëzojë dhe të bëjë biznese multi milionëshe në sektorin e ndërtimit në kohën e qeverisë Rama.
Fuqizimi i tij ekonomik, shkon krah për krahu edhe me atë politik.
Në fakt, Partinë Social Demokrate, që ja bleu për dy para Skënder Gjinushit, ai progresivisht, nga zgjedhja në zgjedhje po e çon në zgjedhjet që priten, si forcën e tretë politike pas PS dhe PD, sikurse tregojnë sondazhet e fundit nga mediume të besueshme.
Por krahas zhvillimeve ekonomike dhe politike, Doshi ka qenë i përfolur dhe emri i tij figuron edhe në përgjimet mes bandave më aktive kriminale në vend.
Duket se kjo ka qenë edhe arsyeja pse SPAK e thërriti atë përpara disa ditësh.
Por teksa kreu i PSD-së deklaroi se u mor në pyetje për një takim në Rrogozhinë, në fakt emri i Tom Doshi del në përgjimet e Sky Ecc në dosjen Metamorfoza.
Në përgjime, Bajrat flasin se Tom Doshi po pastron paratë e Durim Bamit në një hotel që po ndërton në Rinas.
Nuk është ende e qartë nëse Doshi është pyetur për këtë çështje, por ajo që dihet është se personat që dalin në dosjen “Metamorfoza” po hetohen, pasi kjo është një prej çështjeve më sensitive të SPAK.
Pas goditjeve të grupeve kriminale të Vis Martinajt dhe Bajrave në Shkodër, si dhe atij të Arben Ndokës në Lezhë, si dhe dobësimit të Licëve në Shkodër, duket se krahu i Doshit, që konsiderohet i afërt me bandën e Durim Bamit, ka fituar një imunitet dhe paprekshmëri në të gjithë zonën e veriut dhe sidomos në epiqendrën e saj, Shkodrën.
Me një “boom” në biznes dhe rritje eksponenciale të partisë së tij në politikë, duket se fijet janë lëvizur me shumë kujdes që edhe në botën e nëndheshme të krimit në vend gjithçka të shkojë në favor të Doshit, i cili tashmë, duke se është “Padrino” i ri i Shkodrës dhe i gjithë Veriut, njëfarë lordi që ka në dorë interesat ekonomike, politike dhe ato klanore të një territori mjaft të gjerë, influencë, që në Veri nuk ishte parë që nga kohërat e principatave mesjetare.
Duket se shprehja e Safet Bajrit se në Shkodër nuk ka të fortë, shkërrmoqet përballë super-fuqisë që Doshit i është dhënë me bekimin e pushtetit qëndror.
Është ai forca kryesore, pa të cilin pushteti nuk bën dot.