Nëse dikush do të kishte thënë vite më parë se një person me precedentë të rëndë penalë, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, do të bëhej opinionist i rregullt në ekranet televizive shqiptare, askush nuk do ta besonte. Por, realiteti i sotëm dëshmon se në Shqipëri gjithçka është e mundur. Rasti i Kleviol Ahmetit, i njohur si Cllevio Serbiano, është dëshmi e degjenerimit të plotë të medias dhe mungesës së çdo standardi etik.
Cllevio Serbiano nuk është një personazh i panjohur për drejtësinë. Në vitin 2014, ai u arrestua si pjesë e një rrjeti kriminal të trafikut të drogës, pas rrëzimit të një avioni në Divjakë. Pas një dënimi prej 10 vitesh burg, ai përfitoi ulje dënimi dhe u lirua në vitin 2020. Megjithatë, problemet me ligjin nuk mbaruan këtu. Pas përfshirjes në konflikte të hapura me figura të njohura, si reperi Noizy, ai u arrestua sërish në prill të vitit 2023 për përndjekje dhe kërcënime me jetë. Aktualisht, ndodhet në Dubai, ku fshihet nga drejtësia shqiptare, duke përfituar nga mungesa e një marrëveshjeje ekstradimi me Emiratet e Bashkuara Arabe.
Në vend që të trajtohet si dikush “në kërkim” nga drejtësia, Cllevio vazhdon të shfaqet në ekrane televizive shqiptare, duke dhënë “mend” për çështje të ndryshme, ndërkohë që vetë është një simbol i anarkisë dhe kaosit. Kjo përbën një nga shfaqjet më të shëmtuara të mediave shqiptare, të cilat nuk kanë më asnjë standard mbi atë se kush e meriton të ketë zë në hapësirën publike.
Këtu lind pyetja: Çfarë mesazhi po u përcjellin mediat qytetarëve, veçanërisht të rinjve? Që krimi është një rrugë e suksesshme për të fituar famë? Që pas çdo skandali apo precedent penal mund të bëhesh një “influencer” ose opinionist në TV? Është e qartë se për shumë televizione, vlera e vërtetë nuk është më e vërteta apo integriteti, por thjesht audienca dhe klikimet. Kjo qasje e ka kthyer median nga një instrument i informimit dhe edukimit në një cirk të pështirë ku kriminelët bëhen protagonistë.
Fakti që individë si Cllevio Serbiano vazhdojnë të promovohen nga televizionet është një turp për gazetarinë dhe për etikën mediatike. Çdo ekran që i jep hapësirë një personi në kërkim ndërkombëtar për t’u shitur si figurë publike është bashkëpunëtor në banalizimin e televizioneve. Është koha që publiku të refuzojë këtë realitet të deformuar dhe që institucionet përkatëse të marrin masa për të ndaluar këtë shthurje të paprecedentë të mediave shqiptare.