Nga Alketa Kamenica
Pse e fillojmë një artikull me një titull kaq të fortë? Sepse në këtë rast, kemi të bëjmë me një sabotim të drejtpërdrejtë të strategjisë ekonomike shqiptare për vitin e ardhshëm. Projekti i financuar nga shteti shqiptar, në kuadër të strategjisë për rritjen e turizmit, parashikon ndërtimin e një ujësjellësi modern nga një kompani me përvojë në këtë fushë, i cili do të furnizojë me ujë të pijshëm Tragjasin, Radhimën, Himarën dhe gjithë zonën bregdetare të jugut. Por ky investim po kundërshtohet nga një grup protestuesish, të cilët pretendojnë se uji po u vidhet.
E thjeshtë: nuk është e vërtetë fare. Ekspertët e pavarur dhe institucionet shtetërore kanë verifikuar se ky burim natyror ka humbje nga 1500 litra për sekondë gjatë periudhës së thatë deri në 5400 litra për sekondë në sezonin e shirave dhe shkrirjes së dëborës. Aktualisht, ky ujë derdhet kot, pa u shfrytëzuar për komunitetin apo për ekonominë vendase. Ky projekt i rëndësishëm do të garantojë furnizim 24 orë për Tragjasin dhe Radhimën, ndërsa pjesa tjetër e bregdetit do të furnizohet sipas orareve të përcaktuara. Për më tepër, rrjeti nuk do të mbështetet vetëm në burimin e Tragjasit, por do të shfrytëzojë edhe burime të tjera natyrore, duke siguruar një shpërndarje të balancuar të ujit. Atëherë, pse po kundërshtohet ky investim strategjik?
Në këtë rast, duhet të flasim për fuqinë e propagandës dhe manipulimit të opinionit publik për interesa personale. Filozofi politik Gustave Le Bon, në veprën e tij mbi psikologjinë e turmave, thekson se masat nuk kërkojnë të vërtetën, por u përgjigjen emocioneve dhe manipulimeve të qëllimshme. Pikërisht kjo po ndodh në Tragjas. Një fushatë e mirorganizuar dezinformimi po i bën banorët të besojnë se uji i tyre po “vidhet” për të furnizuar vetëm vilat turistike në jug, ndërkohë që e vërteta është krejt ndryshe. Asnjë burim i pavarur nuk ka vërtetuar që ky ujësjellës ka për qëllim të furnizojë vetëm resortet turistike, por manipulimi i fakteve dhe shfrytëzimi i frikës për mungesën e ujit ka krijuar një valë paniku të pajustifikuar.
Më shqetësuese është fakti se disa nga organizatorët e protestave janë të njohur nga autoritetet vendore për kërkesa për përfitime monetare në këmbim të ndalimit të tyre. Nëse një protestë lind nga shqetësimi i sinqertë i qytetarëve, ajo meriton të dëgjohet. Por kur protestat organizohen dhe manipulohen nga individë që nxisin panik dhe kërkojnë përfitime në këmbim të “zbutjes” së situatës, kemi të bëjmë me një pengesë të qëllimshme për zhvillimin ekonomik të vendit.
A mund të justifikohet një sabotim i tillë? Shqipëria ka vuajtur për dekada nga mungesa e investimeve strategjike në infrastrukturën e saj bazë. Nëse do të ndiqnim logjikën e këtyre protestave për çdo investim të madh, atëherë asnjë rrugë, asnjë port dhe asnjë vepër publike nuk do të ndërtohej dot.
Në fund të fundit, pyetja që duhet bërë është kjo: A po ndalojnë protestuesit një investim që do të ndihmojë zhvillimin e gjithë bregdetit, apo po mbrojnë interesa të caktuara që nuk kanë lidhje me të mirën publike? Kjo është ajo që duhet të diskutojmë, larg propagandës dhe manipulimeve që pengojnë një nga investimet më të rëndësishme për turizmin shqiptar.