Nga Alketa Kamenica
Zgjedhja e Donald Trump si president i SHBA-së, për shumëkënd, përfaqësonte shpresën për t’i dhënë fund konflikteve më të mëdha të dekadave të fundit, duke përfshirë luftën në Ukrainë dhe krizën në Lindjen e Mesme. Gjatë mandatit të tij të parë, ai nuk ishte aq i paparashikueshëm sa shumë analistë e parashikonin, por në mandatin e dytë, strategjia e tij e politikës së jashtme po merr një drejtim të ri dhe mjaft të rrezikshëm. Administrata e re e Trump ka pasur katër vite për t’u përgatitur për këtë moment dhe tashmë duket qartë se ka një plan. Në qendër të tij është rikthimi i një Amerike të fokusuar te vetja, duke e distancuar nga konfliktet ndërkombëtare, por pa garantuar një strategji të qartë për çfarë ndodh më pas.
Në takimin e fundit në Shtëpinë e Bardhë, Trump dhe ekipi i tij përdorën një ton të ashpër dhe arrogant ndaj presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, duke e kthyer atë në një farsë bullizuese. Zelensky, një lider kokëfortë dhe ndonjëherë i prirur për arrogancë, u përball me një administratë që e kishte detyruar Ukrainën të vazhdonte luftën, duke e lënë pa opsione për negociata të vërteta. Nëse Ukraina do të ishte lejuar të firmoste një marrëveshje paqeje në fillim të luftës, pasojat ekonomike dhe numri i viktimave do të kishin qenë shumë më të ulëta, por Perëndimi – SHBA dhe BE – e shtyu atë drejt vijimit të luftës, duke e furnizuar me armë dhe ndihmë financiare. Tani, Trump po e shet këtë ndihmë si një barrë të padobishme për Amerikën, duke e paraqitur veten si liderin që do ta “çlirojë” vendin nga një luftë që nuk i përket. Në fund të fundit, një amerikan i mesëm as që e di ku ndodhet Ukraina në hartë.
Megjithatë, problemet reale të SHBA-së janë të brendshme, dhe këtu qëndron thelbi i strategjisë së Trump për të larguar vëmendjen nga çështjet e mëdha të vendit. Kriza ekonomike e klasës së mesme, polarizimi politik i skajshëm, rritja e kriminalitetit, kriza e emigracionit dhe rënia e besimit tek institucionet janë disa nga çështjet më të diskutuara nga ekspertët. Diferenca mes të pasurve dhe të varfërve po thellohet, ndërsa politika monetare dhe rritja e borxhit kombëtar po krijojnë pasiguri ekonomike. Trump, për të shmangur fokusin tek këto probleme, po zhvendos vëmendjen tek politika e jashtme, duke luajtur me populizmin e tij karakteristik, i cili bazohet në izolacionizmin amerikan dhe idenë se “Amerika nuk ka pse të paguajë për luftërat e të tjerëve.”
Përballë kësaj strategjie, Zelensky nuk u tërhoq. Gjatë takimit, u pa qartë që Trump humbi qetësinë kur Zelensky vuri në dyshim sigurinë dhe invulnerabilitetin e SHBA-së. Një moment që mund të jetë pika e moskthimit për raportin mes dy vendeve. Zelensky, një lider që ka kaluar tre vite në luftë, e njeh stresin dhe tensionin, ndaj nuk e uli kokën përballë sulmeve të zv. presidentit J.D. Vance dhe anëtarëve të krahut të djathtë të administratës Trump. Ai nuk ka të gjitha kartat në dorë, por diçka i ka mbetur: dinjiteti.
Shumë analistë kanë sugjeruar që Zelensky duhet të kishte treguar më shumë fleksibilitet dhe të pranonte çdo marrëveshje që SHBA i ofronte, ashtu siç Trump kërkon nga palestinezët në konfliktin me Izraelin – një paqe pa asnjë garanci për të nesërmen. A është kjo zgjidhja që do të ndalonte konfliktin në Ukrainë? Nëse Ukraina do të sakrifikohej për të shpëtuar Perëndimin nga një luftë “e parëndësishme”, kush garanton që Rusia do të ndalej me kaq? Historikisht, politika e “përshtatjes ndaj agresorit” (appeasement), e ndjekur nga Perëndimi para Luftës së Dytë Botërore, vetëm sa e inkurajoi Gjermaninë naziste të avancojë më tej. A është i paprekshëm territori i Polonisë dhe Finlandës, vetëm sepse janë pjesë e NATO-s? Historia na ka treguar se frika funksionon deri në një pikë, pastaj zhduket. Ukraina, e cila në 1994 hoqi dorë nga armët bërthamore në këmbim të garancive për sovranitetin e saj, është sot një dëshmi e qartë se premtimet diplomatike nuk vlejnë asgjë në momentin kur fuqitë e mëdha vendosin të veprojnë.
E njëjta logjikë vlen edhe për Palestinën. Si Ukraina, edhe Palestina është lënë në mëshirë të protestave studentore dhe disa deklaratave të vakëta diplomatike. Perëndimi, i cili më parë e shihte me simpati çështjen palestineze, tani hesht. Në të dyja rastet, logjika është e njëjtë: më të dobëtit duhet të pranojnë çdo kompromis, pavarësisht pasojave afatgjata. A është kjo paqe apo një tjetër shtyrje e problemit?
Ekonomisti dhe filozofi politik Yanis Varoufakis e ka analizuar shpesh këtë fenomen, duke theksuar se marrëveshjet e imponuara nga forcat më të mëdha rrallëherë sjellin stabilitet. Në fakt, ato krijojnë precedentë të rrezikshëm. Nëse Ukraina “sakrifikohet” sot, kush mund të thotë që nesër nuk do të jetë radha e ndonjë vendi tjetër?
Trump e shet “paqen” si një mall politik, por nuk ofron asnjë garanci për të ardhmen. Zelensky, nga ana tjetër, mund të mos ketë asnjë mundësi për të zgjedhur, por ai refuzon të nënshtrohet. Dhe ndoshta, ky është akti i tij i fundit i rezistencës në një luftë ku Perëndimi po tregon gjithnjë e më pak interes për të mbrojtur parimet e veta.