Prej nëntë muajsh, në Portin e Durrësit qëndrojnë të bllokuar 9 marinarë të huaj, pa mundur të marrin pasaportat dhe të largohen nga Shqipëria, ndërsa kushtet për mbijetesë janë përkeqësuar ndjeshëm. Ekuipazhi i përbërë nga një shtetas egjiptian dhe tetë shtetas sirianë ndodhet në bordin e anijes “Ayala Zanubia”, e cila u ndalua nga autoritetet shqiptare pasi u zbulua me 850 mijë litra karburant të dyshuar për kontrabandë.
Tonin Gjinaj, sekretar i përgjithshëm i Federatës së Transportit dhe Telekomunikacionit, ka apeluar për ndërhyrje urgjente të institucioneve shtetërore, duke theksuar se marinarët janë tashmë të liruar nga akuzat dhe nuk ka asnjë arsye që t’u mbahen më pasaportat. Ndërkohë, ata po përballen me mungesë ushqimesh, ujë të pijshëm dhe mbështetje financiare, ndërsa familjet e tyre në Siri dhe Egjipt ndodhen në kushte të mjerueshme. Situata po shihet me shqetësim nga organizatat ndërkombëtare të detarisë dhe transportit detar.
