FLASH :

85 mijë banesa bosh, por pa subvencione për të rinjtë , qeveria parashikon rritjen e çmimeve të pronave

Në Tiranë sot ka rreth 85 mijë banesa bosh, sipas të dhënave të INSTAT. Megjithatë, sipas Eurostat, Shqipëria renditet e dyta në Evropë për nivelin më të lartë të mbipopullimit të banesave tek të rinjtë, një tregues që reflekton drejtpërdrejt sfida sociale dhe ekonomike të lidhura me tregun e pasurive të paluajtshme dhe nivelin e të ardhurave.

Plot 70.3% e të rinjve shqiptarë (15–29 vjeç) jetojnë në familje ku numri i dhomave është më i vogël se nevojat e anëtarëve të saj ndërkohë mesatarja e Bashkimit Europian është vetëm 26.5%, ndërsa në vendet e Eurozonës zbret në 22.7%.

Të rinjtë shqiptarë sot po emigrojnë për shkak të pamundësisë për të blerë një pronë, në një kohë kur Shqipëria, sipas raportit të “Deloitte Property Index 2025”, renditet ndër vendet që ka parë rritjen më të lartë të çmimeve në vitin 2024.

Çmimi mesatar i apartamenteve në Shqipëri ka arritur në 1,620 euro për metër katror, duke shënuar një rritje të ndjeshme prej 16.6% krahasuar me një vit më parë. Ky është ritmi i dytë më i lartë i shtrenjtimit në Evropë, menjëherë pas Polonisë, një vend që zbaton politika konkrete për subvencionimin e blerjes së banesave për të rinjtë.

Ndërkohë, paga mesatare mujore bruto në Shqipëri për vitin 2024 është vetëm rreth 770 euro, sipas INSTAT. Kjo shifër rezulton 30% më e ulët se në vendet fqinje të rajonit, ku pagat mesatare arrijnë në 1,150 euro në Serbi, 1,100 euro në Bosnje e Hercegovinë, 1,083 euro në Mal të Zi dhe 1,020 euro në Maqedoninë e Veriut.

Përballë këtij realiteti alarmues, që Qëndresa Qytetare e ka ngritur prej vitesh, Kryeministri Edi Rama, në vend që të angazhohet për politika konkrete si subvencionet për të rinjtë në blerjen e banesave, zgjedh të flasë si një kryeagjent imobiliar, duke parashikuar rritje të mëtejshme të çmimeve të pronave.

Qëndresa Qytetare, vazhdon të ngre shqetësimin se qytetarët janë të ekspozuar përballë pasojave të rënda të injektimit të parave informale në ekonomi, ç’ka është pasuar me rritjen e kostos së jetesës dhe ka nxitur një eksod masiv.