Një tender me vlerë të majme është fituar nga kompania Alko Impex Construction, në pronësi të nipit të ish-deputetit socialist Sadri Abazi. Bëhet fjalë për lotin 3 të tenderit kombëtar për pastrimin e zonës bregdetare gjatë sezonit turistik, i shpallur nga Operatori i Blerjeve të Përqendruara. Vlera e kontratës së fituar arrin në rreth 840 mijë euro me TVSH dhe përfshin pastrimin e plazheve në Vlorë, Himarë dhe Sarandë.
Tenderi, me një fond total limit prej 205,461,400.89 lekë (rreth 2.4 milionë euro), është ndarë në tre lote që përfshijnë të gjitha bashkitë bregdetare të vendit: nga Shkodra dhe Durrësi deri në Sarandë. Alko Impex ka konkurruar e vetme në këtë segment dhe nuk është skualifikuar asnjë ofertues tjetër, duke ngritur pikëpyetje për nivelin e konkurrencës dhe transparencës së procedurës.
Kontrata do të zgjasë 93 ditë, duke mbuluar muajt më të ngarkuar të sezonit veror, kur pritet të ketë fluks të lartë turistësh. Fituesi do të angazhohet në pastrimin e rërës, mbledhjen e mbetjeve dhe mirëmbajtjen e vijës bregdetare në disa nga zonat më të frekuentuara turistike të vendit.
Kompania Alko Impex Construction është përmendur më herët në media për lidhje të ngushta me zyrtarë të lartë politikë dhe për dominimin në tenderë publikë, veçanërisht në zonat ku Partia Socialiste ruan kontrollin institucional. Ky rast i fundit pritet të ndezë debate mbi klientelizmin dhe përfitimet nga kontratat shtetërore në sektorin e shërbimeve publike.
