Këngëtarja e njohur amerikane Miley Cyrus ka bërë një rrëfim të sinqertë për dhjetëra tatuazhet që mbulojnë trupin e saj, duke pranuar se sot nuk i sheh më me të njëjtin entuziazëm si në të kaluarën. Në një intervistë për The New York Times, 32-vjeçarja tha se është e penduar për pjesën dërrmuese të tyre.
“Një gabim që kam bërë dhe për të cilin ende mendoj janë, rreth, 80% e tatuazheve të mia,” u shpreh Cyrus, duke shtuar me humor se ndonëse e do macen dhe qenin e saj, ndoshta nuk kishte nevojë t’i përjetësonte në lëkurë.
Tatuazhi i parë i Miley-t ishte në moshën 17-vjeçare — fraza “just breathe”, një dedikim për një mik që humbi jetën nga fibroza cistike dhe për gjyshërit që vdiqën nga kanceri në mushkëri. Por me kalimin e viteve, edhe vetë këngëtarja ndjen se disa zgjedhje ishin impulsive.
Megjithatë, ajo nuk ka ndërmend t’i heqë tatuazhet me lazer. “Nuk pendohem aq shumë sa t’i fshij. Ka vetëm disa që mund t’i kisha pa të,” theksoi ajo.
Dhe duket se lidhja e saj me artin në trup nuk ka marrë fund: këtë javë, Cyrus është fotografuar duke bërë një tatuazh të ri — fjalën “Muzë” të shkruar me kaligrafi — një dëshmi se inspirimi artistik, për të, vazhdon të rrjedhë.
