Nga Av. Genc Llakaj/
Të dashur kolegë juristë,
të nderuar konstitucionalistë,
qytetarë të lexuar dhe të palexuar,
ju ftoj të më ndiqni në këtë reagim publik, i cili nuk buron nga interes personal, as nga simpati politike, por nga interesi qytetar, nga ndërgjegjja juridike dhe nga detyrimi moral për të folur kur ligji rrezikon të shndërrohet nga instrument drejtësie në mjet force.
Reagimi im lidhet me çështjen e njohur publikisht si “Balluku” dhe, më gjerë, me mënyrën se si Drejtësia e Re po e ushtron funksionin e saj në raport me moralin juridik, etikën profesionale, procedurën kushtetuese dhe ndarjen e pushteteve.
Kam lexuar shumë mbi drejtësinë. Jam formuar me këtë shkencë si pasojë e fatit, por mbi të gjitha nga pasioni. Di – dhe besoj fort – se ligji ka moral. Se ligji ka etikë. Se ligji është derivat i zakonit, i traditës, i besës dhe i historisë së një shoqërie. Ligji bart brenda vetes ndërgjegjen e atij që e përdor.
Pikërisht për këtë arsye, ligji nuk është kamxhik, nuk është armë, nuk është karrige elektrike. Ligji është Kishë dhe Xhami: vend reflektimi, pendese, pranimi të përgjegjësisë dhe rilindjeje morale. Është vend ku shkon për t’u pastruar, jo për t’u asgjësuar.
Nuk kam dëgjuar kurrë – as në teori, as në praktikë – që ligji të jetë konceptuar si mjet hakmarrjeje në duart e një njeriu moralisht dhe profesionalisht të përgjegjshëm. Kjo ndodh vetëm kur ai bie në duar të papërgjegjshme, ose – më keq – në duar të interesave politike.
Dyshimi i arsyeshëm për hakmarrje
Në këtë kontekst, lidhur me çështjen “Balluku”, kam dyshime të arsyeshme se prokurori i çështjes, z. Dritan Prençi, nuk po vepron vetëm mbi bazën e ligjit dhe procedurës, por po rrëshqet drejt hakmarrjes institucionale.
Uroj sinqerisht të jem i gabuar.
Pse e them këtë?
Sepse në këtë çështje vërehen disa koincidenca të pazakonta, të cilat, të marra së bashku, nuk mund të kalojnë pa u vënë në diskutim nga asnjë jurist serioz.
I pandehuri thirret disa herë, merret në pyetje në mënyrë të përsëritur dhe, pasi akuza “zbulon” elementë që – teorikisht – duhej t’i njihte më parë, kërkon nga GJKKO dy masa sigurimi njëkohësisht:
– dorëheqjen nga funksioni publik, dhe
– ndalimin e daljes jashtë vendit.
Nga pikëpamja juridike, kjo nuk përbën logjikë procedurale. Në variantin më të butë, është një arsyetim infantil. Në variantin më të rëndë, është veprim hakmarrës.
Deklaratat e të pandehurit, të dhëna nën presion institucional dhe mediatik – shpesh të porositura apo të orkestruara – nuk kanë vlerë juridike si prova dhe as si fakte të përdorshme nga një gjykatë me ndërgjegje të pastër. Këtë e di çdo student i vitit të parë juridik.
Një jurist i formuar e kupton menjëherë “ku fle lepuri”. Ajo që fshihet pas këtij vendimi të GJKKO-së është një absurditet sa tragjik po aq dhe komik, por mbi të gjitha edhe i rrezikshëm, sepse prodhon precedent.
Precedenti evropian dhe rasti Berlusconi
Arsyetimi im nuk është emocional. Ai mbështetet në dije, doktrinë dhe precedent evropian.
Le të marrim një shembull lapidar: rasti Berlusconi, në Itali.
Silvio Berlusconi u hetua, u akuzua, u anatemua publikisht dhe politikisht. Por kurrë, në asnjë fazë të procesit, prokuroria italiane nuk kërkoi dorëheqjen e tij nga funksionet politike ekzekutive.
Pse?
Sepse prokuroria italiane është një nga modelet më të konsoliduara të organit të akuzës në Evropë. Ajo nuk është e dehur nga suksesi, as e robëruar nga emocionet individuale. Ajo njeh në mënyrë perfekte aksionomën e ndarjes së pushteteve.
Çdokush mund të akuzohet.
Askush nuk është fajtor pa vendim përfundimtar të formës së prerë.
Kjo është themeli i shtetit të së drejtës. Çdo devijim nga ky parim na çon drejt një shteti-prokuror, një konstruksion i rrezikshëm që prodhon destabilitet shoqëror dhe rrënon kolonat e demokracisë.
Injorimi i Gjykatës Kushtetuese
Edhe më problematik bëhet veprimi i prokurorit Prençi pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila foli qartë dhe pa ekuivok:
vendimi i GJKKO-së nuk ishte
-as ligjor,
-as i drejtë,
-as profesional,
-as human,
-as objektiv.
Gjykata Kushtetuese është gardiani absolut i Kushtetutës. Injorimi i saj nuk është thjesht shkelje procedurale; është sfidë ndaj rendit kushtetues. Dhe kjo është e rrezikshme!
Megjithatë, sikur të mos mjaftonte “gafa” pararendëse, brenda pak ditësh, prokurori i çështjes reagoi me një tjetër akt të nxituar, duke i kërkuar Parlamentit arrestimin e z. Balluku. Ky veprim duket i nxituar, emocional, logjikisht i dobët dhe thellësisht provincial në mentalitet.
Kujt i shërben ky veprim?
Unë nuk pretendoj ta di…😉
ja lë gjykimit tuaj, lexues të nderuar!
Pozicionimi im personal !
Dua ta bëj të qartë edhe diçka të fundit:
Nuk kam asnjë marrëdhënie personale me znj. Balluku. Nuk kam përfituar kurrë nga pushteti i saj. Nuk kam lidhje gjaku, as politike dhe as interesash ekonomike..Pik!
Por si jurist, si qytetar dhe si njeri që beson ende te drejtësia si vlerë morale, jam i detyruar të them se prokurori i SPAK, z. Dritan Prençi po vepron në mënyrë arbitrare, duke injoruar vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe duke përdorur ligjin si instrument force, jo si mjet drejtësie. Ky është gabim fatal!
Qoftë larg që ky veprim të jetë i influencuar nga interesa partiake.
Qoftë larg që prejardhja ideologjike të ketë ndikuar në këtë sjellje të tij personale në emër të institucionit!
Por, nëse kjo e fundit është e vertetë, (për të cilën kam dyshime të arsyeshme) atëherë kemi të bëjmë me një precedent të rrezikshëm, ku shkelen të drejtat e njeriut, deformohet ndarja e pushteteve dhe i jepet frymë hakmarrjes ligjore, e cila është produkt i instinktit, jo i arsyes juridike z. Prençi!
Drejtësia nuk hakmerret!
Drejtësia gjykon!
Në momentin që ajo harron këtë dallim, ajo pushon së qeni drejtësi!









