Macet janë krijesa tejet kurioze. Ato e eksplorojnë gjithçka që u del përpara prekin, nuhasin dhe ndonjëherë edhe e fusin në gojë. Megjithatë, ky kuriozitet shpeshherë mund të çojë drejt rrezikut, duke vënë në pikëpyetje edhe jetën e tyre.
Nëse mendoni se vetëm macet e rrugës janë të ekspozuara ndaj rreziqeve, gaboheni. Edhe brenda shtëpisë suaj mund të fshihen gjëra që janë shumë të dëmshme, madje edhe vdekjeprurëse për to. Ja cilat janë 7 prej tyre:
Aloe vera – Aloe vera është një bimë shumë e dobishme për njerëzit, veçanërisht për djegiet, por është toksike për macet. Nëse keni një bimë të tillë në shtëpi, mbajeni larg prej tyre. Në rast gëlltitjeje mund të shkaktojë të vjella, përgjumje, diarre, anoreksi, dridhje dhe ndryshime në ngjyrën e urinës.

Paracetamoli – Një nga ilaçet më të zakonshme në çdo familje, i njohur ndryshe si acetaminofen (emra tregtarë si Depon, Panadol etj.), është shumë i rrezikshëm për macet. Edhe një dozë e vogël mund të dëmtojë qelizat e kuqe të gjakut dhe të pengojë furnizimin e trupit me oksigjen. Doza të larta mund të çojnë në dështim të veshkave dhe vdekje.
Topthat me fill – Megjithëse duken të pafajshëm, fije të tilla mund të jenë vdekjeprurëse nëse macja i përpin, pasi mund të shkaktojnë bllokim në sistemin tretës. Po ashtu, një fije e hollë mund të lidhet rreth qafës ose këmbës së saj, duke shkaktuar dëmtime serioze.
Zambakët – Zambakët janë shumë të rrezikshëm për macet. Mjafton që macja të lëpijë polenin, të pijë ujin nga vazoja ose të kafshojë një fletë, për të shkaktuar dështim akut të veshkave brenda 24-72 orëve. Simptomat fillestare përfshijnë të vjella, diarre, dehidrim dhe letargji. Nevojitet ndërhyrje e menjëhershme veterinare.

Çokollata – Çokollata përmban substanca si teobromina dhe kafeina, të cilat mund të dëmtojnë rëndë sistemin nervor, kardiovaskular dhe respirator të maces. Simptomat e helmimit shfaqen brenda 6-12 orëve dhe përfshijnë të vjella, diarre, rrahje të shpejta të zemrës, frymëmarrje të shpejtë, tension të lartë dhe temperaturë të lartë. Çokollata e zezë është më toksikja, ndërsa ajo e bardhë më pak.
Toni në konservë – Toni në konservë që gjejmë në supermarkete përmban sasi të larta kripe, të dëmshme për shëndetin e maces. Konsumimi i shpeshtë mund të çojë në cistit, probleme me mëlçinë dhe zemrën, madje edhe në vdekje. Rekomandohet që tonin ta shplani mirë para përdorimit dhe të mos jepni asnjëherë lëngun ose vajin nga konserva. Po ashtu, toni përmban sasi të larta merkurit, që mund të çojë në helmim nëse konsumohet rregullisht.
Fijet dentare – Macet mund t’i gëlltisin me lehtësi fijet dentare, por ato janë shumë të rrezikshme. Përveç rrezikut mekanik në sistemin tretës, fijet shpesh përmbajnë substanca si ksilitol, një ëmbëlsues natyral i padëmshëm për njerëzit por shumë toksik për macet. Edhe një sasi e vogël mund të shkaktojë hipoglicemi, kriza, dëmtime të mëlçisë dhe vdekje.
