Gjashtë anëtarët e grupit të trafikut ndërkombëtar të drogës, që vepronte në vitet 2020-2021 mes Kolumbisë dhe Europës, kanë dalë sot, në GJKKO për masat e sigurisë.
Para trupës gjykuese kanë dalë dy vëllezërit biznesmenë, Klevis dhe Artur Hoxhosmani, Ilir Lloshaj, si edhe ish-pronari i klubit të natës ‘Cinco Cavalli’, Ermir Nderaj.
Ndaj tyre është caktuar masa arrest me burg. Mes tyre janë Erion Alibej dhe Plaurent Dervisha, të arrestuar edhe për dosjen “Plumbi i Artë”.
Personi i 7-të i shpallur në kërkim, është biznesmeni, Elidon Skëndaj, i njohur dhe me emrat Devid Patrut dhe Devid Boraj, i cili dyshohet se fshihet në Duabi.
Nga hetimi rezultoi se ky grup ishte aktiv në vitet 2020-2021 në disa shtete europiane, përqendruar në trafikimin e kokainës dhe hashashit nga Kolumbia dhe Ekuadori drejt BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Droga fshihej mes konteinerëve, në paleta druri, kuti me banane ose në thasë me kakao.
Detaje të reja janë zbardhur nga operacioni i zhvilluar nga SPAK, ku u godit rrjeti ndërkombëtar i trafikut të drogës, i përbërë nga 16 anëtarë të cilëve u janë sekuestruar mbi 6 ton kokainë, me vlerë tregu 411 milionë Euro. Policët dhe agjentët e BKH janë kamufluar si turistë për të arrestuar biznesmenët e përfshirë në trafikun e drogës, të cilët ndodheshin në Palasë duke pushuar të qetë.
Ermir Ndreaj, i njohur si ish-pronari i ‘Cincos’ në Durrës dhe Savoy-s tek Deliorgji, ishte duke shijuar rrezet e diellit në një skaf luksoz në zonën e Palasës, kur efektivët e policisë i shkuan papritur për t’a arrestuar. Skafi u sekuestrua nga Policia, ndërsa një kontroll u zhvillua edhe në vilën e Ndreajt në jug dhe në një apartament luksoz në një zonë rezidenciale në Tiranë, ku janë sekustruar ora të shtrenjta, euro dhe makina luksoze. Po në Palasë u arrestuan edhe vëllezërit Artur dhe Klevis Hoxhosmani, ndërsa Ilir Lloshaj u kap në Elbasan.
Konkretisht SPAK ka sekuestruar 3 makina luksi, njëra prej të cilave Mercedes Benz AMG G63 ose e njohur si G Class, një Volkswagen Golf 7a, dhe një Volksëagen Sharan. Po ashtu u sekuestruan 1 orë Rolex, model 126613LN, 1 orë Richard Mille, model Mclaren RM50-03/68 dhe 3 pistoleta, me krehër dhe fishekë.
Gjykata e Posaçme nxorri 7 urdhër-arreste, prej të cilëve u arrestuan 6 persona ditën e premte (25 Korrik), ndërsa personi i 7-të është shpallur në kërkim ndërkombëtar. Në pranga janë vënë vëllezërit biznesmenë Artur dhe Klevis Hoxhosmani, biznesmeni Ermir Ndrejaj, Ilir Lloshaj, ndërsa dy kriminelëve Erion Alibej dhe Palurent Dervishajt iu komunikua masa nga qelia, pasi të dy ndodhen në paraburgim nën akuzë për dosjen Plumbi i Artë. Në kërkim është shpallur biznesmeni, Elidon Skëndaj, i njohur dhe me emrat Devid Patrut dhe Devid Boraj, i cili dyshohet se fshihet në Duabi.


