QQ: 50% e studentëve të Universitetit të Mjekësisë me sytë nga Gjermania, Rama premton mjekë të huaj dhe inteligjencë artificiale në shëndetësi!
Eksodi i mjekëve dhe infermierëve shqiptarë po shndërrohet në kërcënimin kryesor për funksionimin e sistemit shëndetësor, ku e vetmja gjë që nuk cënohet është përpikmëria në zbatimin e PPP-ve korruptive.
Sot, Edi Rama, gjatë prezantimit të Ministres së Shëndetësisë, u zotua për kthimin e Shqipërisë në një parajsë për mjekët e huaj dhe për implementimin e inteligjencës artificiale në shëndetësi.
Të dhënat më të fundit nga një publikim i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) evidentojnë se mesatarisht rreth 150 mjekë planifikojnë të largohen çdo vit nga Shqipëria – një shifër që pothuajse barazohet me numrin vjetor të të diplomuarve në Universitetin e Mjekësisë në vend.
Sipas OBSH-së, stoku i mjekëve të trajnuar në Shqipëri, të cilët punojnë në 38 vende të huaja, arriti në 1,060 në vitin 2020.
Vetëm Gjermania numëronte 988 mjekë shqiptarë në vitin 2021, nga 149 që kishte në vitin 2013 – një rritje mbi gjashtëfish.
Ky trend ka vazhduar edhe gjatë viteve 2020–2025, dhe e vetmja strategji e qeverisë ka qenë pengmarrja e studentëve të mjekësisë.
Me 45–50% të studentëve të mjekësisë ende të pavendosur për të ardhmen dhe me Gjermaninë si destinacionin kryesor, ekspertët paralajmërojnë se emigrimi do të vijojë.
Përballë këtyre fakteve, Qëndresa Qytetare i kërkon Kryeministrit Rama që shëndetësinë të mos e shohë vetëm virtualisht, por të përballet me realitetin dramatik që ka përpara syve.






