FLASH :

5-vjeçarja sulmohet nga ujku në Kosovë, tërhiqet zvarrë disa metra nga oborri i shtëpisë

5-vjeçarja është aktualisht në gjendje të stabilizuar dhe do të qëndrojë disa ditë në spital për t’u mbajtur në monitorim.

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Komunën e Shtërpcës në Kosovë, në fshatin Brod, ku një vajzë 5-vjeçare është sulmuar nga ujku.

Vogëlushja ka qenë duke luajtur në oborrin e shtëpisë kur u sulmua nga kafsha, që e tërhoqi zvarrë 5-vjeçare për disa metra larg oborrit duke i shkaktuar lëndime në kraharor dhe në shpinë.

5-vjeçarja u dërgua nga familjarët në Klinikën Universitare në Prishtinë, për të marrë trajtimin mjekësor.

Fëmija është vaksinuar sipas protokolleve dhe i janë kryer të gjitha trajtimet e nevojshme.

5-vjeçarja është aktualisht në gjendje të stabilizuar dhe do të qëndrojë disa ditë në spital për t’u mbajtur në monitorim.

Njoftimi i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës:

Qendra Klinike Universitare e Kosovës, njofton se më datë 27.08.2025, në Klinikën Emergjente të QKUK-së, është pranuar një fëmijë 5-vjeçar nga fshati Brod, komuna e Shtërpcës, me lëndime në gjoks dhe shpinë.

Sipas familjarëve, fëmija është sulmuar nga një ujk dhe është tërhequr zvarrë disa metra nga oborri i shtëpisë.

Pas pranimit në Klinikën Emergjente, ka marrë trajtimin e parë mjekësor dhe janë kryer ekzaminimet e nevojshme fillestare.

Aktualisht, fëmija është pranuar dhe po merr trajtim në Klinikën e Kirurgjisë Torakale, ku gjendja vlerësohet stabile.

Janë dhënë vaksinat, sipas protokollit, si dhe është konsultuar Psikologu Klinik për vlerësimin dhe mbështetjen e gjendjes emocionale të fëmijës.

Pavarësisht gjendjes stabile, për arsye të monitorimit dhe mundësisë së ndryshimeve eventuale, pacientja do të qëndrojë për disa ditë në klinikë.