FLASH :

5 milionë turistë në vetëm 6 muaj, shpërthen turizmi

Nëse keni menduar se këtë verë rrugët janë më të mbushura, plazhet më të zhurmshme dhe qendrat turistike më të gjalla se kurrë, nuk jeni gabuar. Shqipëria po përjeton një valë të re vizitorësh të huaj, dhe statistikat zyrtare e konfirmojnë. Vetëm në gjashtë muajt e parë të vitit 2025, vendin tonë e kanë vizituar rreth 4.7 milionë shtetas të huaj, një rritje prej 4.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Këto të dhëna janë bërë publike nga Instituti i Statistikave (INSTAT) dhe tregojnë qartë se Shqipëria nuk është më thjesht një zbulim i ri në hartën turistike të Europës është tashmë një destinacion i konsoliduar.

Vetëm gjatë qershorit 2025, në kufijtë e Shqipërisë kanë hyrë mbi 2 milionë persona, ku rreth 1.3 milionë prej tyre ishin të huaj. Krahasuar me qershorin e kaluar, kjo është një rritje me 7.1%. Edhe numri i shqiptarëve që kanë hyrë në territor ka shënuar rritje 733 mijë persona, apo 8.5% më shumë se në të njëjtin muaj të vitit 2024. Njëkohësisht, janë regjistruar rreth 1.9 milionë dalje, ku 1.2 milionë ishin shtetas të huaj që largoheshin nga vendi, duke sinjalizuar ritmin e lartë të qarkullimit ndërkombëtar.

Pothuajse të gjithë të huajt që kanë hyrë në Shqipëri gjatë kësaj periudhe vijnë nga kontinenti europian 94% e totalit të hyrjeve. Brenda Europës, pjesa më e madhe i përket rajoneve jugore Greqi, Itali, Maqedoni e Veriut dhe vende të tjera të Ballkanit. Kjo nuk është më një prirje sezonale, por një strukturë e re e qëndrueshme e turizmit dhe komunikimit ndërkufitar.


Plot 98% e hyrjeve janë për arsye private, pra pushime, plazhe, mal, natyrë, ose thjesht për të kaluar kohë me të afërmit. Kjo kategori ka njohur rritje të konsiderueshme me 6.8%. Por ajo që bie në sy është rritja e madhe e udhëtimeve për biznes. Krahasuar me një vit më parë, vizitat me qëllim profesional kanë njohur një zgjerim prej 27.9%. Kjo tregon jo vetëm interesin për turizëm, por edhe për investime, panaire dhe marrëveshje të reja ekonomike. Biznesi po sheh mundësi në Shqipëri dhe po vepron.
Pyetja e vetme që mbetet është: A është gati Shqipëria të përballojë gjithë këtë fluks, apo këta turistë do te kthehen te zhgënjyer ne Europë?