Ols Dado është përballur me një fushatë sulmesh të tmerrshe mediatike nga ata që kontrollojnë thuajse të gjitha mediat në vend, pra krahu qeverisës, përfshi edhe kryetarin e bashkisë nën arrest.
Ai është etiketuar si i paaftë, si ushtar i partisë demokratike dhe se e ka nisur punën me mik.
Jemi të sigurt, se po t’i hynim hollësisht, kujtdo nga akuzuesit, mund t’i ngrinim pa ndonjë vështirësi të njëjtat akuza.
Por ka 5 arsye themelore përse Ols Dado duhet falenderuar.
- –Së pari Ols Dado duhet falënderuar që ndërmori një akt të guximshëm, ndaj një prej politikanëve më të pushtetshëm në Shqipëri, i cili në mbi një dekadë, ka krijuar një rrjet të gjerë dhe të sofistikuar influencash dhe interesash, në nivelet elitare të politikës dhe biznesit, i cili është tepër i vështirë për t’u depërtuar e jo më për t’u çarë. Dhe kjo ndodhi në një kohë erërash të trazuara, dhe kur shumëkush shpreson se ndryshimet përtej Oqeanit, mund të përdorën për ta flakur tutje SPAK dhe për të ricikluar klasën e korruptuar politike të 34 viteve të fundit. Faleminderit o trim, që nuk u tute s snga Trump, Shën Shpëtimtari imagjinar i qelbësirave.
- Ols Dado duhet falenderuar që na hapi sytë. Ai na bëri të kuptojmë vanitetin dhe luksin e shfrenuar në të cilin jeton klasa elitare politike, ndërkohë që ata të cilët ata udhëheqin dhe që ju lypin votat, rropaten për të mbyllur muajin. Blerjet e çmendura online të Ajolës, paratë me myk nëpër jastëkë të kushërinjve të saj. Ai na tregoi se si Veliaj furnizonte me vendime, para dhe fonde të gjithë personat e rrethit të tij më të ngushtë familjar apo miqësor, ndërkohë që sturt upet e reja në Shqipëri, e kanë të vështirë të mbijetojnë, në një treg që mbahet në këmbë vetëm nga injektimi artificial i fondeve parazitare politike.
- Ols Dado duhet falenderuar që pavarësisht sulmeve të ndyra politike nga të gjitha frontet e politikës, vazhdon i vetëm betejën për drejtësi, pa u ndjerë, pa reaguar asnjëherë, dhe pa sqaruar akuzat e intimiduesve të tij, duke nënkuptuar me fisnikëri se ndodhet përballë hajnave, në nivelin e të cilëve nuk mund të bjerë edhe ai dhe të cilëve po u vjen fundi.
- Ols Dado duhet falenderuar që edhe pse pa folur e pa thënë kurrë asgjë në publik për Erion Velinë, e bëri këtë të fundit të duket edhe më palaço seç është. Në fakt, qurravitjet e lalit nga qelia, ku gjasme shkruan me celular, kur në fakt nuk i lejohet, na bënë që të kuptojmë më mirë se nuk jemi përballë një viktime të sistemit, por përballë modelit që shpresuam kaq shume se do të ishte modeli i ri politik në vend, por që u bë njësh me të vjetrën, u kamuflua me petkun e saj dhe nga qëngj me lëkurë ujku, u kthye në një ujk të frikshëm politik që gllabëronte çdo gjë që i dilte përpara. Fundi i tij kaq traumatik nuk ka pse të jetë drama që ai po rreket të stisë sikur është e të gjithë shqiptarëve. Ne nuk akuzohemi për vjedhjet mega miliardëshe për të cilat akuzohet ai dhe bashkëshortja! E nisi duke sulmuar Fatos Nanon për korrupsion, po e mbyll duke qenë në bankën e të akuzuarve si një ndër të korruptuarit më të mëdhenj te politikës shqiptare.
- Ols Dado duhet falenderuar së fundmi sepse është ai që vërtet na ka munguar. Një Falkone në tentativë, por që mund të bëhet, duke shpresuar vetëm që mos të ketë të njëjtin fat. Pra heroi shtetëror që sakrifikohet për kauzën e tij, dhe jo heroi gangster kriminal, që kemi mitizuar këto 3 dekada, te kushdo që me forcë, dhunë dhe intriga është pasuruar. Ai është kundër të gjithëve të ligjve sot dhe po reziston. Nuk e dimë më as e ka apo jo Amerikën me vete, dhe nëse jo, kjo e bën edhe me heroik aktin e tij. S’na mbetet veçse ta falenderojmë e përkrahim. Na duhen heronj të tillë, jo Spidermane që aktrojnë për festën e fëmijëve dhe as OJQ-istë të shndërruar në maniak pushteti.