Endri Shabani të lë përshtypjen e parë si një djalosh i mbarë, me bluzë me jakë e këmishë, një version 2.0 i Lali Erit të ditëve më të mira.
Por pas syzeve të djaloshit që duket sikur e ka zënë alergjia nëpër mykun e bibliotekave, fshihet një karrierist dhe maniak pas pushtetit dhe prestigjit personal.
Ja cilat janë 4 mëkatet që nuk e kualifikojnë dot Shabanin për politikan të së ardhmes.
- – Shabani është rivali i dështuar i Erion Velisë. Në kohën kur Lali e nisi me Mjaft, Shabani, që ishte çerr në krahasim me të, e kishte gjithsesi egon të madhe, edhe pse ende në pubertet. Në fakt, me Parlamentin Rinor, ku ai ishte drejtues si adoleshent, atë e kishin kapur ethet hemorragjike për pushtetin, nga xhelozia, që alter egoja e tij, Lali Eri po korrte më tepër sukses. Njëfarë rivaliteti si ai që ka parë në historti Mozarti me Salierin. Në fakt, duke qenë se Mjafti thithte fondet e ambasadave të huaja në vend, kurse Shabani merrte çikërrima, atij i erdhi një “colpo di genio”, alla Salieri. Kur Fondacionet e huaja vlerësonin Erion Lalin si aktivisti më i mirë i vitit, ai që me kacidhet e Jozefina Topallit bënte disa mini aktivitete me Parlamentin Rinor, arriti që të merret gjithashtu ndonjë titull për veten, po si aktivisti rinor më i mirë, i dhënë nga qeveria në pushtet e Berishës. Ai i ka patur në gjak këto allishverishe që fëmijë dhe është i udhëhequr nga një ndjesi hakmarrjeje dhe inferioriteti, ndaj kujtdo të riu që ka qenë më i arrirë se ai, në sferën dhe kohën e njëjtë me të, ndaj ka vite që ka akumuluar një plan djallëzor për të qëruar hesapet sapo të ketë pak pushtet, gjë që e ka bërë gjithsesi qysh kur ka patur pushtet në kohëra dhe forma të tjera.
- – Si anëtar bordi për Busrat e Fondacionit Soros në Shqipëri, për ata që harrojnë se Shabani ka qenë një sorosian i mirëpaguar dhe i velur nga paratë e projekteve, në kohën kur ky fondacion jepte bursa për studentët më të mirë në Shqipëri, për të studiuar në universitete prestigjoze si Essex, Sussex dhe Oxfrod, Shabani ç’bëri? Pasi një studente e shkëlqyer me inicialet M.LL i kishte kaluar të gjitha testet, intervistat dhe ishte në rregull me letra për të shkuar në Oxford, ky i fundit jep dorëheqjen nga bordi, e merr për vete bursën dhe shkon ai në Oxford, nga ku sot na është kthyer si shumë i ditur. Edhe në këtë rast, ambicia dhe lakmia e tij për pushtet, shfaqin një grykësi dhe ligësi të pafre, e cila nëse do të kombinohej me më shumë pushtet, mund të ishte fatale për këdo.
- – Përveç Parlamentit Rinor, Endri Shabani ka qenë edhe çantambajtësi i Kreshnik Spahiut, në kohën kur ky i fundit drejtonte Aleancën Kuqezi. Me shkrirjen e kësaj Lëvizje, Spahiu fillimisht ia la frerët zarit të tij, Shabanit. Më pas ky i fundit u tërhoq. Dhe sot rreket të na shfaqet si një produkt i ri i politikës. Ndërkohë që, basdhkë me Adriatik Lapajn, çirreshin që të dy për pushtet, qysh përpara 15 vitesh e kusur. Ai është një personazh i konsumuar në politikë dhe ndërthurja e tij, midis ngjyerjes së dorës në qypin me mjaltë të fondeve të ndërkombëtarëve, përzier me ambicien e pafre për pushtet, e kualifikojnë atë si një Deja Vu të Erion Velisë. Përse do duhet ti besonim një tjetër paçavureje politike të stilit Mjaft, kur rezultatin e dimë?!
- Endri Shabani bën si i majtë dhe i drejtë në mbrojtje të më të dobëtëve, në një kohë që jo vetëm ai vetë ka një karrierë të zymtë të mëparshme midis politikës dhe shoqërisë civile, por nga ana tjetër mentorët dhe bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë janë Besjan Pesha dhe Pano Soko, dy marifetçinjtë e Mjaftit, të katapultuar më pas te LSI e Ilir Metës, në poste drejtuese, që nga burimet natyrore, e më tej kur LSI ishte në qeveri me rekorde korrupsioni. Pesha është përfolur shpesh se ka qenë i dënuar për vjedhje kompjuterësh në Gjirokastrën e tij të lindjes që përpara se t’i hynte Mjaftit. Pra këta lugetër, me lugë në brez, hiqen se janë e ardhmja e vendit, ndërkohë që stili i tyre është një lugatëri në përputhje të plotë me atë të politikës së ndyrë të këtyre 34 viteve tranzicion të pafundëm.