Nga përgjimet e publikuara në media, të cilat janë kryer nga prokuroria në burgun e Durrësit, ku përfshihen Erion Veliaj, vëllai i tij dhe bashkëshortja, përmenden gazetarë dhe figura të njohura publike që, përkundër pritshmërive për të qenë kritikë dhe të pavarur, bëhen pjesë e propagandës së Veliajt.
Këta gazetarë janë kthyer në ushtarë të bindur të Veliajt, që me vetëdije mbulojnë të vërtetën dhe mbështesin një sistem që po gërryen shoqërinë, dhe janë të gatshëm të legjitimojnë propagandën e tij, duke bërë gjithçka, edhe kur ajo është në dëm dhe në kurriz të qytetarëve, për t’iu përgjigjur si ushtarë të devotshëm atij.
Dihet që këta gazetarë ishin marionetat e kryetarit të Bashkisë, Veliaj, dhe regjimit të Ramës, por tani kur i dëgjon me zë dhe i shikon me figurë, kupton se deri ku arrijnë për të legjitimuar propagandën e pushtetit — dhe kjo është vërtet tronditëse.
Në audiopërgjimin e publikuar, përmenden qartë emra të tillë si Mero Baze, Carlo Bollino, Grida Duma dhe Ilir Yzeiri. Gjithashtu, në bisedën mes kryebashkiakut Veliaj dhe bashkëshortes së tij, Ajola Xoxe, Veliaj e quan Manjën “qelbësirë” dhe e akuzon për përfshirje në vendimin për ta burgosur, duke e lënë mes të dënuarve të rrezikshëm.
“Le ta dëgjojnë të gjithë, qelbësirë, atij s’kam për t’ia falur, as Ols Dados, por sidomos Ulsi Qelbësirës,” dëgjohet të thotë Veliaj në regjistrimin e publikuar. Ai e cilëson Manjën “katunar të ndyrë”, që ka refuzuar të kryejë kontrolle dhe ka injoruar kërkesat e tij.
Nëse nga figura si Mero, Bollino apo Grida kjo ishte e pritshme, emri që bie më shumë në sy si surprizë e hidhur është ai i Ylli Manjanit – një zë që për një kohë të gjatë qëndroi përkrah opozitës dhe kritikës ndaj qeverisë. Por sot, Manjani del në përgjime në një pozicion tërësisht të ndryshuar, duke sinjalizuar një kthesë të papritur dhe një rreshtim të qartë përkrah atyre që dikur i sulmonte.
Regjistrimet e dala kanë nxjerrë në dritë një realitet akoma më të zymtë të vendit tonë, ku këta gazetarë nuk mbajnë më qëndrim, por mbrojnë; nuk analizojnë, por justifikojnë; nuk informojnë, por maskojnë të vërtetën, duke e zëvendësuar atë me interesat politike që i shërbejnë kryebashkiakut të Tiranës.