Dy shtetas të mitur janë vënë nën hetim nga autoritetet në Pogradec, pasi dyshohet se kanë dëmtuar ambientet e brendshme të shkollës 9-vjeçare në fshatin Buzaishtë.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për 2 shtetas të mitur, pasi dyshohet se kanë dëmtuar disa banka dhe sende, në shkollën 9-vjeçare në fshatin Buzaishtë.
Sipas informacioneve zyrtare, të miturit dyshohet se kanë hyrë në shkollë dhe kanë shkaktuar dëmtime në disa banka, karrige dhe sende të tjera shkollore.
Në pamjet e siguruara nga vendngjarja, dallohet qartë dëmtimi i pajisjeve dhe ambientit të shkollës. Karriget janë përmbysur dhe dëmtuar, ndërsa dokumente të ndryshme janë parë të shpërndara në dysheme.
Policia e Pogradecit ka njoftuar se hetimet janë në vijim dhe do të vlerësohet përgjegjësia penale për aktin e kryer, në përputhje me ligjin për të miturit.