2 muaj nga nisja e sezonit, turizmi në kaos/ Tuneli i Llogarasë mbyllur, Lungomare kantier

Nga Vlora, deri në të dalë të Himarës, kur jemi vetëm 2 muaj larg nisjes me kapacitet të plotë të sezonit turistik veror, e gjithë riviera joniane është shndërruar në një kantier ndërtimi mes pluhurave, tymit, zhavorrit dhe mbeturinave.

Gjithashtu, taksapaguesit shqiptarë, që kanë kontribuar aq shumë para’ për Tunelin e Llogarasë, e gjejnë atë të mbyllur prej kohësh, dhe u duhet të ribëjnë rrugët gjarpërushe, për të shkuar për pushime apo punë, kudo që prenotojnë.

Që nga Uji i Ftohtë në Vlorë, duke kaluar nga Radhima, Tragjasi, Orikumi, e kështu e me rradhë, për të mbërritur deri në Himarë, kudo rrugët janë shqepur. Kanalet janë lënë të hapura, mbretëron kaosi, pluhuri dhe pisllëku.

Sikur të mos mjaftonte e gjithë kjo, edhe By-Passi i famshëm i Vlorës është mbyllur për punime.

Një ngërç dhe katrahurë e plotë, që e kthen turizmin shqiptar, nga atraksion, në një makth, për të huajt dhe vendasit.

Fakti që ky është një vit elektoral, nuk mundet kurrësesi ta kthejë jugun në një kantier të pafundëm.

Të huajt nuk na votojnë, ata vijnë për pushime dhe nuk kanë asnjë taksirat që të paguajnë mijëra euro dhe të ndeshem me një kantier gjigand lluce dhe pluhuri, që nga Vlora, deri në Himarë.

Është e papranueshme që qeveria të shpenzojë paratë e shqiptarëve për të reklamuar vendin tonë, dhe nga parajsa e premtuar, turistët të përballen me një moçal të madh kur vijnë në vendin tonë.