Adoleshenti i artë i futbollit spanjoll, Lamine Yamal, ndodhet në qendër të vëmendjes pas pushimeve luksoze që po shijon në Itali, në shoqërinë e një stjuardeseje 13 vite më të madhe se ai. Por pavarësisht fotografive që i kanë postuar nga i njëjti vend, sulmuesi i Barcelonës ka mohuar kategorikisht se ka një marrëdhënie me 30-vjeçaren Fati Vazquez.
Pas përfundimit të angazhimeve me kombëtaren spanjolle në finalen e Ligës së Kombeve kundër Portugalisë, ku humbën me penallti, Yamal është parë duke pushuar në një resort italian me Vázquezin, e cila është gjithashtu influencere me mbi një milion ndjekës. Dyshja ka postuar foto nga varka, pishina dhe madje edhe nga një fluturim me helikopter – duke ndezur menjëherë thashethemet për një romancë të mundshme.
Por sipas gazetarit spanjoll të showbizit Javi de Hoyos, vetë Yamal ka reaguar: “Ai e mohon plotësisht që janë bashkë. Thotë se nuk ka asgjë mes tyre.” Ai shton se Yamal ka qenë në pushime me disa shokë të ekipit nga Barcelona, dhe se Vázquezi mund të jetë thjesht e lidhur me dikë tjetër nga skuadra.
Ndërkohë, influencuesja ka reaguar ndaj valës së komenteve negative që ka marrë në rrjetet sociale:
“Është e trishtueshme të shohësh se si disa njerëz mbajnë kaq shumë errësirë brenda vetes, sa arrijnë të dëshirojnë vdekjen e dikujt që nuk e njohin fare,” shkroi ajo në Instagram. “Ata që janë mirë me veten nuk duan të shkatërrojnë të tjerët.”
Fati Vazquez nisi karrierën si stjuardesë, por sot është e përkushtuar në rrjetet sociale, ku shpërndan këshilla për ushqyerje të shëndetshme, stërvitje dhe përvojat e saj personale – përfshirë një libër mbi bullizmin që ka përjetuar gjatë adoleshencës.
Kujtojmë se Yamal ka qenë më parë në një lidhje me influenceren Alex Padilla pas triumfit në Euro 2024, por lidhja përfundoi kur një video e saj duke u ulur në prehërin e një djali tjetër u bë virale. Në dhjetor u përfol edhe për një romancë me një tjetër TikTok-star, Anna Gegnoso, por burime pranë lojtarit thonë se ai është sërish beqar.
Tashmë, Yamal ka nisur një udhëtim të ri – këtë herë drejt Brazilit – ku pritet të takojë idhullin e tij të fëmijërisë, Neymarin.
