17 vite nga masakra e Gërdecit që u mori jetën 26 personave dhe rreth 300 të tjerë mbetën të plagosur. Ende s’ka drejtësi për përgjegjësit e vërtetë, Sali dhe Shkëlzen Berisha. Vijon procesi gjyqësor vetëm për ish-ministrin Mediu, ja roli i djalit të ish-kryeministrit në fabrikën e vdekjes.
TIRANË– Shënohen 17 vite nga masakra e Gërdecit, ku 26 persona humbën jetën dhe rreth 300 të tjerë mbetën të plagosur nga shpërthimi në fabrikën e demontimit të armëve në Gërdec më 15 mars 2008.
Familjarët e viktimave kanë ende shpresë për drejtësi, me një proces gjyqësor të nisur kundrejt ish-ministrit të mbrojtjes, Fatmir Mediu, por hetimet e SPAK ende nuk kanë shkuar tek përgjegjësit e vërtetë, ish-kryeministri Berisha dhe djali i tij Shkëlzen Berisha.
Procesi gjyqësor ndaj Mediut po zvarritet, me shumicën e seancave që kohët e fundit vetëm janë shtyrë, ndërkohë që ish-ministri po gjykokohet për akuzën e shpërdorimit të detyrës të dyfishtë sipas Kodit Penal dhe Kodit Penal Ushtarak, duke mos formuluar asnjë akuzë të re apo bërë hetim të ri. Rikthyen një proces të cilës Mediu i kishte shpëtuar me procedurë shtatorin e vitit 2009, ditën kur ish-ministri kishte marrë mandatin e deputetit dhe tashmë kishte imunitet.
Roli i Shkëlzen Berishës
Në këtë proces gjyqësor, përveç pyetjes ndaj djalit të Berishës, paralelisht me çështjen kundër Mediut në GJKKO, SPAK ka ngritur edhe një çështje për “korrupsion të zyrtarëve të lartë” dhe “pastrim parash”. Kjo hetimë synon të zbulojë përgjegjësit kryesorë dhe pritet të çojë në përgjegjësinë e Sali Berishës dhe djalit të tij, Shkëlzen Berishës, emra që dalin në pah në shumë prova.
Sipas fakteve, ministrat e Berishës në krye të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Drejtësisë – Fatmir Mediu dhe Aldo Bumçi – vepronin sipas udhëzimeve të Shkëlzen Berishës për organizimin e dokumentacionit të biznesit, duke trajtuar pasurinë publike si municione. Dy orë pas shpërthimit të datës 15 mars 2008, tabulatet telefonike tregojnë se Fatmir Mediu zhvillon një telefonatë 74 sekondëshe me Shkëlzen Berishën. Gjithashtu, pronari i “Albademil”, Mihal Delijorgji, ishte një ndër të parët që kontaktoi, lidhur me çështjet që lidhen me demontimin pas shpërthimit.
Emrat e Sali Berishës dhe Shkëlzenit përmenden shpesh në bisedat telefonike midis dëshmitarit kyç të Gërdecit, Kosta Trebicka, dhe trafikantit të armëve nga Florida, Efraim Diverolit, i cili deklaroi se ata janë figurat kryesore të mafies që dominonte operacionet në Gërdec.
Shkëlzen Berisha ka pasur kontakte të drejtpërdrejta dhe indirekte me të gjithë aktorët të përfshirë në aferën e Gërdecit. Ai ka lidhje me Mihal Delijorgjin, përgjegjës për përgatitjen e terrenit për demontimin e armëve, dhe, përmes vëllait të tij, Rrahman Selmanllarin, ka pasur lidhje me kompaninë amerikane SAC të Patrik Henrit, kontraktuara për këtë detyrë. Gjithashtu, kompania “AEY” ka importuar municione kineze në Shqipëri, duke vendosur etiketa të reja për një tender nga SHBA me vlerë 298 milionë dollarë.
Pas 17 viteve që kanë kaluar që nga masakra në Gërdec, askush nuk është ende në qeli dhe asnjë i dënuar për vrasje. Nga 28 të pandehuarit që morën dënime pranverën e 2012, vetëm disa morën dënime të ashpra: Ylli Pinari, ish-drejtori i “Meico”-s, dhe Dritan Minxolli, drejtori i Fabrikës së Gërdecit, u dënuan me 18 vjet burg, ndërsa pronari i fabrikës, Mihal Delijorgji, mori 10 vjet. Për këta tre, burgimi i përjetshëm ishte kërkuar. Për ish-shefin e Shtabit, Luan Hoxha, që tani jeton jashtë vendit, dënimi ishte 6 vjet, ndërsa disa ish-gjeneralë u shpallën të pafajshëm.
Gjithashtu, Sokol Ngjeçi, zyrtari i “Meico”-s, mori 10 vjet burg. Në çështjen që lidhet me kupolën e ushtrisë shqiptare, dënimi më i rëndë iu dha Luan Hoxhës, me 6 vjet burgim nga 8 të kërkuar nga Prokuroria, ndërsa dy ish-gjeneralë u shpallën të pafajshëm, dhe dy të tjerë morën dënime prej 3 dhe 4 vjet, përkatësisht, me kushte të caktuara. Funksionarë të tjerë të Ministrisë së Mbrojtjes morën dënime që varionin nga 1 deri 3 vjet burgim. Në total, Gjykata ka shpallur 94 vite burgim, ka vendosur gjoba dhe 9 të pandehur u shpallën të pafajshëm. Vendimi i sallës së gjyqit ka shkaktuar zemërim të madh te familjarët e viktimave, të cilët e kanë denoncuar si të turpshëm, ndërsa disa prej dënuarve kanë përfituar nga shkurtimi i dënimit në apel, përllogaritja e ditëve të paraburgimit dhe ulja e mëtejshme për “sjellje të mirë.”