FLASH :

103-vjeçarja shpallet vullnetarja më e moshuar në botë

Beryl Carr, 103 vjeçe, është shpallur zyrtarisht gruaja më e moshuar vullnetare në botë pas më shumë se dy dekadash shërbimi në një kafene spitali.

Ajo nisi punën si vullnetare në vitin 2003, në moshën 80-vjeçare, në Friends Café të Spitalit Ealing në Londrën Perëndimore, ku përgatit ushqim dhe punon në arkë. Sot, pas mbi 20 vitesh, emri i saj figuron në Librin Guinness të Rekordeve.

Beryl thotë se e adhuron çdo moment, sidomos aspektin shoqëror: “Nuk mund të mendoj gjë më të keqe sesa të rri gjithë ditën para televizorit. Vullnetarizmi të jep një energji të re dhe e rekomandoj për të gjitha moshat.”

Kolegia e saj, Ann Cousins, e quan një “institucion” të spitalit, pasi të gjithë e njohin dhe e duan.

E lindur në vitin 1922, Beryl ka kaluar periudha të jashtëzakonshme historike: kur mbreti George V ishte në fron, kur Gandhi ishte në burg dhe kur u zbulua Tutankhamuni. Gjatë Luftës së Dytë Botërore ajo përjetoi sulmin ndaj Londrës, u bombardua në shtëpi dhe ndihmoi përpjekjet e luftës duke qepur balona mbrojtëse e duke punuar si vrojtuese zjarri.

Në vitin 1942 u njoh me bashkëshortin e saj Billin, me të cilin qëndroi e martuar për 60 vite. Pas vdekjes së tij, Beryl u rikthye në Londër për të qenë pranë vajzës së saj, Valit.

Edhe sot, ajo thotë se pamjet e luftërave në lajme i kujtojnë traumën e saj dhe vështirësitë e racionimit pas luftës. Por për të, vullnetarizmi mbetet një burim i madh gëzimi dhe qëllimi.