FLASH :

10 milionë zbritje, por vila e Carrey ende pa blerës. Pranon se po mbështetet te filmat Sonic për para

Jim Carrey po has sërish vështirësi për të shitur vilën e tij luksoze në Los Angeles, pasi një marrëveshje e fundit për shitje dështoi.

Aktori 63-vjeçar, i njohur për rolet në The Truman Show dhe Liar Liar, e nxori për herë të parë në shitje rezidencën e tij në lagjen ekskluzive Brentwood në shkurt 2023 për 28.9 milionë dollarë afro 30 vite pasi e bleu për vetëm 3.8 milionë dollarë në vitin 1994.

Një blerës u shfaq në dhjetor dhe ra dakord të paguante 19.8 milionë dollarë, duke ulur çmimin me 10 milionë. Megjithatë, marrëveshja u prish në momentin e fundit.

Pas kësaj, vila me pesë dhoma gjumi dhe nëntë banjo është rikthyer në treg për 18.8 milionë dollarë edhe një ulje prej 1 milionë dollarësh e regjistruar në maj, sipas të dhënave të pronësisë.

Kjo zbritje e re vjen pak pasi Carrey pranoi publikisht se rikthimi i tij në filmin Sonic the Hedgehog 3 nuk kishte të bënte me pasionin, por me pagesën. “Erdha sërish në këtë univers sepse, përveç se luaj rolin e një gjeniu që është një ekzagjerim kam blerë shumë gjëra dhe më duhen para, për ta thënë troç,” tha ai me humor në premierën e filmit në Londër, dhjetorin e kaluar.

Megjithatë, ai theksoi se projekti kishte edhe zemër: “Ka diçka të bukur në thelbin e historisë, ndaj e pranova edhe herën e parë.”

Dhe me stilin e tij karakteristik plot ironi, e mbylli: “Shpresoj që ky film të bashkojë familjet dhe të shërojë disa sëmundje.”

Një shtëpi ikonike dhe nostalgji për ndryshim
Kur e nxori për herë të parë në shitje, Carrey i tha New York Post: “Për tri dekada kjo ka qenë strehë për mua, por tani nuk kaloj shumë kohë aty dhe dua që dikush tjetër ta shijojë ashtu si unë.”

“Cha cha cha… Changes!”, shtoi ai, duke cituar këngën ikonike të David Bowie.

Carrey bleu këtë shtëpi në kulmin e famës së tij, ndërsa luante në Ace Ventura: Pet Detective. Ai gjithashtu zotëron një pronë në Maui, ku është konfirmuar si banor që nga viti 2017, ndërsa disa nga veprat e tij të artit ekspozohen në galerinë Wyland.

Koleksioni i tij i makinave luksoze përfshin Mercedes, një Porsche Panamera dhe një Tesla, ndërsa pasioni për udhëtimet e ka çuar nga Buffalo, Nju Jorku e deri në Machu Picchu, Peru.

Nga pastrues fabrikash në ikonë të Hollivudit
I lindur në Toronto, Carrey u detyrua të linte shkollën në vitin 1978 për të ndihmuar familjen, duke punuar si pastrues për dy vite. Por në moshën 15-vjeçare ai nisi të performonte stand-up comedy në klube lokale dhe në 1979 jetonte tashmë prej këtij profesioni.

Në moshën 19-vjeçare, ai u zhvendos në Hollywood dhe u fut menjëherë në televizion e filma. Në vitin 2004, mori shtetësi të dyfishtë amerikane dhe kanadeze.

Debutimi në televizion erdhi në vitin 1983 me serialin kanadez Introducing… Janet, ndërsa në film me Finders Keepers në vitin 1984. Më pas spikati me rolin e çuditshëm të alienit në Earth Girls Are Easy (1988), duke përforcuar reputacionin e tij në komeditë ekscentrike.

Speciali televiziv Jim Carrey: Unnatural Act në vitin 1991 e çoi drejt rolit që e bëri të famshëm në In Living Color.

Në vitin 1985, Carrey shkroi një çek për veten me shumën 10 milionë dollarë për “shërbime aktrimi të ardhshme”, të datuar 10 vite më vonë. Në mënyrë të pabesueshme, në nëntor 1995, ai mori saktësisht këtë shumë për rolin në Dumb and Dumber.

Fundi i një epoke?
Në vitin 2022, Carrey njoftoi se Sonic the Hedgehog 2 do të ishte filmi i tij i fundit. “Nëse engjëjt më sjellin një skenar të shkruar me bojë ari, që më thotë se ky film ka rëndësi për botën, mund të rikthehem. Por për momentin, po marr një pauzë,” deklaroi ai.

Në premierën e Sonic 3, kur u pyet për këtë deklaratë, Carrey qeshi dhe u përgjigj: “Mund të ketë qenë paksa hiperbolë, po.”

Seria Sonic ka rezultuar ndër më të suksesshmet e karrierës së tij: dy filmat e parë kanë arkëtuar 725 milionë dollarë globalisht, ndërsa Sonic 3 deri tani ka fituar 492 milionë dollarë në të gjithë botën.