FLASH :

10 milionë euro për një startup të huaj, qeveria kërkon firmën e deputetëve, por jo transparencën

Investimi prej 10 milionë eurosh në startup-in “Thinking Machines Lab” të bashkëthemeluar nga Mira Murati ka kaluar sot për diskutim në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave. Ministri i Financave, Petrit Malaj, ka prezantuar aktin normativ për ndryshimet në buxhetin e vitit 2025, duke sqaruar se fondi i është kaluar Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit në cilësinë e aksionerit të vetëm të Korporatës së Investimeve Shqiptare, me qëllim financimin e këtij projekti.

Sipas Malajt, ky është një investim që duhet parë në këndvështrimin afatgjatë të përfitimeve ekonomike dhe të “historive të suksesit shqiptar”.

Ministri është përpjekur të sigurojë opinionin publik se deficiti buxhetor nuk preket, dhe se fondi mbulohet përmes rritjes së të ardhurave jotatimore, konkretisht nga të ardhurat e mbledhura nga tjetërsimi i pasurive të konfiskuara. Ai ka theksuar se urgjenca e aktit normativ erdhi për shkak të një afati të ngushtë kohor dhe për rëndësinë strategjike të pjesëmarrjes shqiptare në këtë fazë të hershme të një kompanie që mund të arrijë vlera deri në 50 miliardë dollarë në të ardhmen, sipas tij.

Por këto justifikime nuk zgjidhin asnjë nga shqetësimet thelbësore që ka shtruar ky vendim, që nga momenti kur u mor në heshtje totale, pa asnjë debat publik dhe me zero transparencë institucionale.

Kujtojmë se startup-i “Thinking Machines Lab” është themeluar nga Mira Murati, një emër i njohur ndërkombëtarisht në fushën e inteligjencës artificiale, e cila ka qenë drejtoreshë teknologjike e OpenAI dhe ka luajtur rol kyç në zhvillimin e ChatGPT, DALL·E dhe GPT-4. Së bashku me Sam Altman, ajo krijoi këtë projekt të ri në San Francisko, duke tërhequr një ekip elitë nga kompanitë më të mëdha teknologjike si Meta, OpenAI, Mistral dhe Character.AI.

Për shumëkënd, fakti që një shqiptare është bashkëthemeluese e këtij startup-i është burim krenarie. Por duhet thënë e vërteta: Mira Murati është një histori suksesi e një refugjateje shqiptare që iku nga vendi që nuk ofronte as siguri, as arsim, as mundësi. Ajo është formuar dhe afirmuar në SHBA, jo në Shqipëri. Dhe nëse sot qeveria shqiptare e përdor emrin e saj si justifikim për të shpërndarë 10 milionë euro pa garë, atëherë e gjitha kthehet në një farsë të radhës, ku dështimi i brendshëm maskohet me lavdi të huaj.

Ndërkohë, qindra startup-e të themeluara nga shqiptarë nuk marrin as edhe një aplikim të hapur për fonde. Nuk u jepet mundësia të prezantojnë një ide, një projekt, një plan zhvillimi. Sepse në këtë vend, fondet për startup-e i marrin vetëm patronazhistët, njerëzit e lidhur me pushtetin dhe familjarët e atyre që kontrollojnë thesarin e shtetit.

Mungesa e transparencës është e plotë. Nuk ka një plan biznesi të bërë publik. Nuk dihet se çfarë përfiton Shqipëria nga kjo pjesëmarrje. A merr qeveria shqiptare aksione në kompani? Në çfarë përqindje? Nëse po, kush i administron? Nëse jo, çfarë ka blerë me 10 milionë euro? Askush nuk e di. Nuk dihet nëse ka një analizë risku, një vlerësim ekspertësh, një audit të brendshëm. Thjesht thuhet që është një investim i rëndësishëm dhe kaq duhet të mjaftojë.

Paratë nuk janë marrë nga një program zhvillimi të teknologjisë vendase, por nga pasuritë e sekuestruara, nga një fond që në parim duhet të shkojë për interesa të përbashkëta sociale. Më keq akoma, gjithçka është bërë përmes një akti normativ, që i shmanget Kuvendit dhe kontrollit parlamentar, një metodë që është kritikuar edhe nga institucionet ndërkombëtare për abuzim të rregullave demokratike.

Nëse këtë e quajmë “strategji të re zhvillimi”, atëherë jemi duke firmosur përfundimisht fundin e çdo iniciative vendase dhe kthimin e shtetit në një arkë xhepi për klientelën e vet. Nuk është hera e parë që qeveria përdor një kauzë të bukur, si teknologjia, për të justifikuar shpërndarjen e parave publike në mënyrë selektive dhe të mbyllur.

Pse u përdor akt normativ dhe jo një ligj i zakonshëm?

Pse nuk u shpall një thirrje publike për kompani të interesuara në fushën e teknologjisë?

Cilat janë detyrimet konkrete të kompanisë përballë shtetit shqiptar?

A është zhvilluar një analizë e pavarur risku dhe përfitimi?

A do të ketë kontroll real mbi mënyrën se si do të përdoren fondet?

Kush është përgjegjës nëse kjo kompani dështon ose nëse shteti shqiptar humb paratë e investuara?

Të kërkosh përgjigje për këto pyetje është kërkesë minimale që një vend normal duhet t’i bëjë qeverisë së vet sa herë që preken miliona euro të qytetarëve. Nëse s’e bëjmë, do të jemi bashkëfajtorë në heshtjen që legjitimon zhdukjen e çdo standardi ligjor në emër të PR-it politik.