FLASH :

1 vit pas inagurimit, tuneli i Llogarasë vazhdon të qëndrojë i mbyllur, ndërsa ARRSH jep tenderin e radhës për të

Në një kohë kur bregdeti jugor i Shqipërisë pret fluksin më të madh të turistëve dhe kur operatorët turistikë kërkojnë lehtësira infrastrukturore për të zhvilluar ekonominë lokale, tuneli i Llogorasë mbetet ende i mbyllur. Megjithatë, kjo nuk e ka penguar Autoritetin Rrugor Shqiptar të hapë një tjetër tender — këtë herë për mbikëqyrjen e mirëmbajtjes së tunelit, me një fond limit prej 116 mijë euro.

Tender pas tenderi, ndërsa qytetarët rrezikojnë jetën në Qafë
Ky tender i ri i shtohet një kontrate tjetër të shpallur në mars, për “mirëmbajtjen dhe operimin e pajisjeve të tunelit”, me një vlerë prej 3.1 milionë euro. Në total, mbi 3.2 milionë euro po qarkullojnë për një vepër infrastrukturore që është e paarritshme për publikun dhe një burim fitimi për kontraktorët.

Ndërkohë, qytetarët dhe turistët detyrohen të kalojnë nga Qafa e Llogorasë – një rrugë e vështirë, me kthesa të rrezikshme dhe e ndjeshme ndaj kushteve të motit. Çdo ditë që tuneli qëndron i mbyllur, rritet mundësia për aksidente, zgjatet koha e udhëtimit dhe pengohen zhvillimi ekonomik dhe qarkullimi i mallrave në të gjithë zonën.

Zhvillimi turistik pengohet nga premtimet boshe
Ky tunel ishte shpallur si një projekt transformues për zhvillimin e turizmit dhe infrastrukturës në jugun e vendit, pjesë e segmentit Orikum-Himarë. Por tani për tani, tuneli është një monument i propagandës politike — i inauguruar disa herë nga kryeministri Rama, por i pazhbllokuar për përdorim.

Sipas ARRSH, tuneli përfundoi ndërtimin më 15 dhjetor 2024 dhe aktualisht ndodhet në fazën dyvjeçare të “garancisë së defekteve”, që zgjat deri në dhjetor 2026. Pra, dy vite të tjera ku tuneli mbetet teknologjikisht i “pafuqishëm”, ndërsa turistët, banorët dhe bizneset lokale paguajnë çmimin e kësaj vonese.

Kosto të larta për publikun, përfitime për pakicën
Ndërsa Shqipëria promovon turizmin si motor zhvillimi ekonomik, situata me tunelin e Llogorasë tregon realitetin e hidhur: projektet nuk janë për qytetarët, por për xhepat e kompanive që fitojnë tender pas tenderi. Në fund, rruga më e shkurtër për në jug mbetet e mbyllur, ndërsa rruga më e gjatë është ajo e abuzimeve pa fund me fondet publike.