Një në tre persona mbi moshën 50 vjeç fsheh humbjen e dëgjimit, sipas një studimi të ri ndërkombëtar. Shumë e bëjnë këtë nga frika e gjykimit, pasi humbja e dëgjimit ende shoqërohet me stereotipa mbi plakjen dhe paaftësinë, duke i penguar të kërkojnë ndihmë.
Studimi, i botuar në International Journal of Audiology, nxjerr në pah ndikimin emocional e social të humbjes së dëgjimit, e cila lidhet me ulje të vetëvlerësimit, vetmi, probleme me kujtesën dhe madje depresion. Gati 60% e të prekurve raportuan se të tjerët kanë bërë shaka ose kanë qeshur me vështirësitë e tyre, duke i bërë të ndihen jo rehat e të zhgënjyer.
Shumë zgjedhin ta fshehin gjendjen, por kjo shpesh e përkeqëson situatën. Studiuesit australianë dr. Katie Ekberg (Universiteti Flinders) dhe prof. Louise Hickson (Universiteti i Queensland-it) theksojnë se kuptimi i përvojës emocionale të njerëzve është thelbësor për ofrimin e kujdesit më të mirë.
Kërkimi përfshiu intervista, anketa dhe mbi 600 pjesëmarrës nga Mbretëria e Bashkuar, SHBA dhe Australi. Një nga gjetjet më të rëndësishme ishte hendeku mes perceptimit të pacientëve dhe profesionistëve: klinicistët fokusohet te stigma e aparateve të dëgjimit, ndërsa vetë pacientët shqetësohen më shumë për stigmën e humbjes së dëgjimit. Shumë e shohin aparatin modern si diskret dhe të dobishëm, dhe ata që flasin hapur janë më të prirur ta pranojnë dhe ta përdorin atë.
Ekspertët sugjerojnë që pyetje të thjeshta, si “Kujt i ke treguar për humbjen e dëgjimit?” mund të ndihmojnë profesionistët të kuptojnë barrierat emocionale. Rritja e ndërgjegjësimit shoqëror mbi humbjen e dëgjimit pas moshës 50 vjeç mund të sfidojë stereotipat e vjetruar dhe të nxisë më shumë mbështetje. Për këtë, ekipi ka zhvilluar materiale praktike dhe vizuale për të ndihmuar pacientët, familjet dhe profesionistët e kujdesit të dëgjimit.